2009-11-02 16:22:42

Në raportin amerikan, Shqipëria shembull për lirinë fetare


(02.11.2009 RV)Në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit, Shqipëria paraqitet si shembull për lirinë fetare. Ambasadori amerikan Uidhërs theksoi sot në Tiranë se toleranca fetare ka zanafillë të hershme, por është edhe përçuar në vite, brez pas brezi, duke u kthyer në traditë. Në ceremoninë e zhvilluar në Ambasadën amerikane morën pjesë përfaqësues të bashkësive fetare, të qeverisë dhe të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë.

Kosova në zi për të mbyturit e Tisës
Sot, Kosova ishte në zi për personat që u mbytën në lumin Tisa, në përpjekjen për të kaluar kufirin ndërmjet Serbisë dhe Hungarisë, në natën ndërmjet 15 dhe 16 tetorit. Edhe partitë politike pezulluan fushatën për zgjedhjet e 15 nëntorit. Dy javë pas tragjedisë nuk dihet akoma saktë numri i të mbyturve. Deri tani janë gjetur tetë trupa pa jetë, por mungojnë edhe tetë të tjerë. Një i rritur, një adoleshent e dy fëmijë duket se kanë shpëtuar gjallë nga përmbysja e barkës.

Kosova falenderon Klintonin me një shtatore në Prishtinë
Ish-presidenti i SHBA-ve, Bill Klinton ka qenë dje për herë të tretë në Kosovë, ku është pritur si hero i vërtetë nga qytetarët. Ai u takua me krerët e shtetit e të qeverisë, mbajti një fjalim në parlamentin e Kosovës dhe mori pjesë në përurimin e shtatores kushtuar atij, në sheshin që mban emrin e tij në Prishtinë. Kosovarët e nderojnë si personin që i hapi rrugën pavarësisë së vendit, 10 vjet më parë.







All the contents on this site are copyrighted ©.