2009-11-02 11:49:18

Meditim mbi kuptimin e vdekjes - në ditën e përkujtimit të të vdekurve!


(02.11.2009 RV) Jemi në një Ditë përkujtimi që na nxit të reflektojmë thellë e sidomos, na shtyn t’i bëjmë vetes pyetjen më të rëndësishme, të përjetshme: prej nga vijmë e ku shkojmë? Ç’kuptim ka jeta e aq më tepër, vdekja?
Vdekja sot është bërë fjala më e padëshirueshme, është bërë tabu. Nuk duhet folur për të, e as nuk duhet menduar.
Njeriu i sotëm nuk dëshiron ta pranojë vdekjen: prandaj përpiqet të krijojë mitin e shëndetit e të formës së përkryer fizike, një lloj rinie të përjetshme, që e përjashton plakjen e vdekjen.
Ndeshemi me prirjen për t’ia fshehur vdekjen njeriut që i afrohet cakut të fundit, duke i mohuar kështu mundësinë të përgatitet për këtë shtegtim të mbramë, tepër të vështirë, drejt amshimit.
Njeriu i sotëm rrallë herë vdes në shtëpi të vet, i rrethuar nga fytyrat e dashura të të afërmve: sot vdiste ndër strukturat shëndetësore, në vetmi të plotë!
Vdekja bëhet gjithnjë më anonime, formë e shpersonalizimit të njeriut që ka jetuar e ka vdekur.
Tepër aktuale lutja-poetike e poetit të famshëm gjerman, Rilke:
Jepi, o Zot, secilit, vdekjen e vet,
vdekjen që nga jeta lulëzoi;
nga jeta në të cilën çdo njeri,
gëzimin e vuajtjen provoi.
Por ka edhe më: është edhe vdekja sipas dëshirës, pasojë e kulturës së vdekjes e cila vijon të përhapet për shkak të jetës së papërgjegjshme, që i kundërvihet vetë jetës, në të cilën mbretëron droga, shpejtësia e çmendur, netët me dehje ndër diskoteka…
Vjen pastaj vdekja e dëshpëruar e njeriut që jeton pa shpresë.
Vetëm vdekja e krishterë përshkohet nga vetëdija e kalimit në jetën e pasosur, është plot me shpresën e njeriut që e lëshon plotësisht e përfundimisht veten në duart e Atit Hyjnor, i sigurtë se do të ringjallet.







All the contents on this site are copyrighted ©.