2009-11-02 16:15:18

Hamid Karzai shpallet president i Afganistanit pas dorëheqjes së kandidatit tjetër


(02.11.2009 RV)RealAudioMP3 Në Afganistan përfundon një fazë e gjatë krize politike. Komisioni i pavarur Zgjedhor shpalli sot paradite Hamid Karzain fitimtar të zgjedhjeve presidenciale. Organizmi anulloi turnin e dytë të ballotazhit, i cili do të zhvillohej më 7 nëntor, pasi kandidati tjetër, Abdullah Abdullah hoqi dorë nga gara elektorale. Sipas tij, në Kabul nuk është e mundur të zhvillohen zgjedhje të lira për shkak të sulmeve e të frikësimeve të vazhdueshme nga ana e talebanëve. Gjithsesi, vendimi i Komisionit konfirmon Karzain në postin e presidentit të Afganistanit, por e lë atë pa besimin popullor të nevojshëm për të përballuar fazën aktuale. Të dëgjojmë mendimin e ekspertit të krizave ndërkombëtare në Këshillin Kombëtar italian të Kërkimeve, Daniele Arkibuxhi, pedagog në Universitetin e Londrës:
Në vende si Afganistani, pjesa më e madhe e rezultateve zgjedhore mund të parashikohen mbi bazën e statistikave të shpërndarjes etnike të popullsisë. Kjo do të thotë se votohet jo për të zgjedhur një qeveri, e cila mund të ndryshojë më vonë, por për të pohuar: unë jam i kësaj etnie, jam i kësaj feje, jam i këtij fisi. Natyrisht, kështu bëhet shumë e vështirë ligjshmëria e një qeverie, pasi ekzistojnë gjithnjë pakica, që nuk mund të përfaqësohen në qeveri dhe që reagojnë me dhunë.
E duke parë edhe fqinjin e Afganistanit, Pakistanin, si mund të ripërcaktohet, sipas jush, roli i bashkësisë ndërkombëtare?
Pa dyshim që bashkësia ndërkombëtare duhet të ketë një rol më aktiv në stabilizimin e rajonit. Fatkeqësisht, po paguajmë akoma faktin që dikush në vitin 2002 mendoi të ndërhyjë ushtarakisht në Afganistan, në një situatë shumë delikate, megjithëse ishte në fuqi një regjim shumë i urryer nga popullsia. Pas 7 vjetësh nga ndërhyrja, akoma nuk shihet qartë asnjë rrugëdalje. Jo vetëm kaq, por tani Afganistani po sjell paqëndrueshmëri edhe në Pakistan, një vend që kishte një nivel zhvillimi shoqëror, ekonomik e politik më të madh e ku forcat në favor të demokracisë ishin më të forta e më të rrënjosura se sa në Afganistan. Prandaj, sipas meje, bashkësia ndërkombëtare akoma nuk ka në dorë asnjë plan për të zgjidhur problemet e këtyre shteteve.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.