2009-11-01 12:27:53

Një javë me Benediktin XVI e me Selinë e Shenjtë.


(01.11.2009 RV)Autoritetet iraniane duhet t’u garantojnë të krishterëve lirinë e fesë: kjo është thirrja e Papës Benedikti XVI drejtuar ambasadorit të ri të Republikës islamike të Iranit, Ali Akbar Naseri, të cilin e priti të enjten e kaluar në Vatikan për paraqitjen e letrave kredenciale. Papa ripohoi vullnetin e Selisë së Shenjtë për përforcimin e marrëdhënieve me Teheranin dhe uroi që Irani ta mbështesë, plot besim, fazën e re të bashkëpunimit ndërkombëtar për të punuar e për të arritur paqen globale.

Në një epokë, kur kultura lind nga vetë mënyrat me të cilat transmetohet, më parë se nga përmbatja e saj, kumtimi i Ungjillit dhe vlerat e krishtera nuk mund të shkëputen nga përdorimi profesional i mediave, që nga tradicionalet, tek më të rejat. Ky është mendimi kryesor që Papa Benedikti XVI shprehu, duke pritur të enjten, në Vatikan, pjesëmarrësit në plenaren e Këshillit Papnor të Komunikimeve Shoqërore. Gjatë audiencës Papa kujtoi edhe 50-vjetorin e Filmotekës vatikanase, që ruan në arkivat e saj, më se një shekull material filmik nga historia e Kishës.

 
E Kisha po përgatit një Udhëzues të ri Baritor në fushën e komunikimeve shoqërore, që duhet të zëvendësojë Aetatis Novae, botuar në vitin 1992. Njoftimin e dha, të hënën e kaluar, Kryetari i Këshillit Papnor për Komunikimet Shoqërore, kryeipeshkvi Klaudio Maria Çeli, duke hapur, në Vatikan, mbledhjen plenare të dikasterit.

“Moralisht të papranueshme dhe të rrezikshme për gjininë njerëzore”. Kështu i komenton kryeipeshkvi Elio Sgreçia, kryetar nderi i Akademisë Papnore për Jetën, rezultatet e kërkimit shkencor, realizuar nga shkencëtarët e Universitetit të Stanfordit, botuar nga revista ‘Nature’, mbi bazën e të cilave do të mund të krijohen kushtet për shndërrimin e qelizave staminale, në qeliza embrionale njerëzore, pararendëse të qelizës vezore e të spermatozoidit. Është fjala për krijimin e fëmijëve pa pjesëmarrjen apo bashkëpunimin e natyrshëm të nënës e të babait.

 
Të drejtat e dhunuara të emigrantëve të parregullt, që kapërcejnë Detin Mesdhe, ishin në qendër të fjalës së kryeipeshkvit Agostino Marketo, sekretar i Këshillit Papnor të Baritorisë për Emigrantët dhe Endacakët, mbajtur në një simpozium pranë Universitetit Papnor Gregorian të enjten e kaluar.
Edhe emigrantët e parregullt janë njerëz, pra kanë dinjitet dhe të drejta të pamohueshme. Tek ky parim, mbështetej edhe fjala e Imzot Marketos, i cili kujtoi kontrollet gjithnjë e më të rrepta në Mesdhe për të luftuar kundër të ashtuquajturëve “udhëtime të shpresës”. Më pas prelati theksoi mungesën e respektit dhe të të drejtave themelore të emigrantëve, posaçërisht kur e kapërcejnë detin si klandestinë, në kërkim të një jete më të mirë. E në vend të kushteve të ëndërruara, i presin trajtime çnjerëzore e zvetënuese.

Papa në audiencën e përgjithshme nënvizoi: më shumë vëmendje në Meshë leximit të Biblës, për të arritur tek e vërteta përmes fesë e arsyes.
Feja e arsyeja, kur dialogojnë me respekt njëra me tjetrën, janë si flatrat, me të cilat shpirti njerëzor lartohet drejt kundrimit të së vërtetës”. Është pohimi i Benediktit XVI në përfundim të audiencës së përgjithshme, mbajtur të mërkurën e kaluar në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan. Papa ia kushtoi katekizmin dy modeleve të teologjisë, asaj monastike e asaj skolastike, që u afirmuan në Evropën e shekullit XII, falë rrethanave të mbara shoqërore e kulturore. E i ftoi të krishterët e sotëm ta përvetësojnë thesarin e kësaj trashëgimie, jo vetëm shpirtërore.

Më 2 maj 2010, Papa Benedikti XVI do të shkojë në Torino, me rastin e ekspozimit të Sindonës, nga 10 prilli deri më 23 maj të vitit të ardhshëm. Lajmi u dha të martën përmes një letre, nga kryeipeshkvi i qytetit verior italian, kardinali Severino Poleto, i cili një ditë më parë, u prit në Vatikan nga Ati i Shenjtë. Akti i parë i Benediktit XVI do të jetë lutja para Sindonës së Shenjtë.

U njoftua, të martën, nga Salla e Shtypit e Vatikanit, programi i vizitës baritore të Benediktit XVI në Bresha e Konçesio të Italisë, të dielën, më 8 nëntor. Paradite Papa do të kremtojë Meshën e do të thotë lutjen e Engjëllit të Tënzot në tremen e Katerdales së Breshës, në sheshin Pali VI.
Pasdite, pas vizitës në qendrën baritore Pali VI, gjithnjë në Bresha, do të vizitojë shtëpinë ku lindi Papa Montini dhe Institutin e ri Pali VI në Konçesio. Instituti do të përurohet pikërisht nga Ati i Shenjtë. Veprimtaria e fundit e ditës do të jetë vizita në famullinë e Shëna Ndout në Konçesio, ku është pagëzuar Gjon Batista Montini.

Imzot Miliore denoncon: të krishterat janë bashkësitë më të diskriminuara në botë.
Liria fetare vijon të dhunohet në shumë vende të botës: këtë denoncoi imzot Çelestino Miliore, vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara, duke folur, të martën e kaluar, në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, kushtuar promovimit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut.

Papa Institutit Papnor Biblik: Shkrimi Shenjt, i interpretuar nga Kisha, duhet t’u japë forcë besimtarëve për të përballuar sfidat e botës së shekullarizuar.
“Të punohet që populli i Zotit ta ketë gjithnjë pranë Biblën”: këtë porosi u dha Ati i Shenjtë anëtarëve të Institutit Papnor Biblik, të cilët i priti të hënën e kaluar në Vatikan, me rastin e njëqindvjetorit të themelimit. Duke përshëndetur eprorin e përgjithshëm të Shoqërisë Jezus, Atë Adolf Nikolas, Papa i falënderoi jezuitët, të cilëve u është besuar që në themelim ky Institut, sipas dëshirës së Papës Piu X..

U mbajt të hënën e kaluar, pranë Kongregatës për Doktrinën e Fesë e Komisionit Papnor Ecclesia Dei, në Pallatin e Zyrës Shenjte, në Vatikan, takimi i parë i Komisionit të studimit, formuar prej specialistëve të të njëjtit Komision dhe Vëllazërisë Meshtarake të Shën Piut X, për të shqyrtuar e për të studiuar vështirësitë doktrinore, që ekzistojnë ende ndërmjet Vëllazërisë dhe Selisë Apostolike të Romës. U nënvizuan veçanërisht çështjet madhore të natyrës doktrinore që do të trajtohen gjatë bisedimeve, çdo dy muaj: koncepti i Traditës, Meshari i Palit VI, interpretimi i Koncilit II të Vatikanit, uniteti i Kishës e i parimeve katolike të ekumenizmit, marrëdhëniet ndërmjet Krishterimit e feve jo të krishtera dhe liria fetare.

Imzot Çeli me mision në Kubë: një mundësi e re për thellimin e dialogutKryeipeshkvi Klaudio Maria Çeli, kryetar i Këshillit Papnor të Komunikimeve Shoqërore, do të vizitojë Kubën më 4 deri më 8 nëntorin e ardhshëm. Është një rast i rëndësishëm për thellimin e dialogut ndërmjet Kishës katolike e Shtetit, posaçërisht në sektorin e mjeteve të komunikimit.
Ndërkaq Asambleja e Përgjithshme e OKB-së i kërkoi këto ditë përsëri SHBA-së t’i japë fund embargos për shkëmbimet tregtare me Kubën, në fuqi që nga vitit 1962, kohët e fundit lehtësuar nga administrata Obama.







All the contents on this site are copyrighted ©.