(01.11.2009 RV)Sot,festa e të gjithë shenjtorëve, Zot, Festa e të
gjithë atyre që Kisha i njeh e s’i njeh. E këta janë më të shumtit. Festa
e të gjithë shenjtorëve, Zot: fëmijë, të rinj e pleq, të bardhë, të zinj, të
kuq e të verdhë... Njerëz nga të gjithë racat, nga të gjitha kulturat, që
ty ta besuan gjithë jetën, me thjeshtësinë e fëmijës, me gëzimin e të rriturit. Me
gëzim e dashuri, edhe në çastin e provës; edhe kur ishte në lojë gjithë ç’patën
më të çmuar.
Festa e të gjithë Shenjtorëve, Zot! Festë e shenjtërisë heroike, që
të duket e pamundur. E e shenjtërisë së përditshme: që herë të tremb herë
tjetër t’lumnon rreth vatrës së ëmbël të shtëpisë sate.
Festa e të gjithë
Shenjtorëve, o Zot, E të gjithë atyre që të ndoqën, me hap të sigurtë, të vendosur! Por
edhe e jona, që çalojmë Në shtegun e hapur prej teje.
Po, sepse Ti dhe ne
na jep zemër, jetë na jep edhe shpresë! Mirësi e shenjtëri në ty e kanë burimin! E
Ti na thërret edhe ne për rrugë, pas Shenjtorëve! Mjafton ta hapim zemrën, Mjafton
që Ti të zbresësh në thelb të zemrës sonë, për të na lartuar drejt Qiellit!