2009-11-01 12:41:12

Domethënia e Fesëts së Gjithë Shenjtorëve


(1.11.2009 RV) Festa e të Gjithë Shenjtorëve e bashkon në një kujtim të vetëm këtë familje të pafundme, që na e mbush zemrën me ngushëllim. Nganjëherë ndokush më të ankohet: “Jam vetëm. Ndjehem i vetmuar”. Atij duhet thënë: “Mendo se nuk je kurrë vetëm, se je i rrethuar nga familja e Shenjtorëve, nga shoqëria e shenjtorëve, nga përqafimi i tyre.
E ky mendim për praninë e Shenjtorëve në jetën tonë, duhet të jetë i përhershëm, sepse Shenjtorët në qiell nuk mund të rrinë duarkryq. Parajsa nuk është strehë e artë pushimi. Parajsa është vendi ku jetohet thellësisht dashuria. E në se urdhërimi i dashurisë vlen për ne në tokë, aq më tepër duhet të vlejë për Shenjtorët në qiell.
Prandaj Shën Tereza e Krishtit Fëmijë, pak para se të vdiste, pati thënë: “Jam duke hyrë në pushim…madje, jo në pushim – vijoi duke e korrigjuar veten – sepse kohën time në qiell do ta kaloj duke bërë mirë mbi tokë”. Shenjtorët janë të shumtë e të gjithë janë pranë nesh, sepse kush është bërë një me Zotin, është bashkuar me dashurinë e dashuria nuk mund të rrijë dyarkryq. Ky është një mendim që na ngushëllon e na ndihmon t’i përballojmë me optimizëm e me besim të plotë stuhitë e jetës, edhe duke u nisur nga shoqëria e Shenjtorëve.

Si mund t’ua shpjegojmë njerëzve të kohëve tona ç’do të thotë shenjtëri?
Mbi të gjitha duhet ta pastrojmë Shenjtërinë nga një lloj hije irreale që e rrethon nganjëherë. Shenjtorët janë vetje që e jetojnë me fund jetën e tyre. Janë njerëz vërtetë të realizuar. Janë njerëz të suksesshëm, sepse suksesi nuk është fama që fitohet në një kampionat futbolli, në realizimin e një filmi, në çfarëdo lloj pune njerëzore. Suksesi i vërtetë i jetës është shenjtëria; e shenjtëria është realizim i plotë i jetës njerëzore. Prandaj Krishti i quan shenjtorët të Lum. Lumnitë janë pikërisht karakteristikë e Shenjtorëve.
Të varfërit shpirt, dmth ata që e kanë shpirtin të lirë, që nuk kanë etje për para, për pushtet, për sukses, që nuk ëndërrojnë mite e nuk e duan dhunën; që janë plot mëshirë, që nuk dinë ç’është urrejtja, që e kanë zemrën të pastërt, të papërbaltur, janë njerëz që kanë arritur lumturinë, janë vërtetë të Lum. Kur flasim për shenjtërinë, duhet ta kemi mirë parasysh se ideali i shenjtërisë është ideal që e bën njeriun të lumtur, të realizuar, sepse shenjtorët janë ata që e kanë realizuar plotësisht planin e Zotit e, prej këndej, edhe vetveten e tyre si njerëz.
Nganjëherë e pyesim veten cili është më njerëzor se Shën Françesku i Asizit, cili është më burrë se ai e cila është më grua se Nënë Tereza. Ndonëse janë shembuj tepër të lartë, kjo nuk na pengon të ecim në gjurmët e tyre, sepse kjo është rruga që duhet përshkuar, për ta realizuar plotësisht vetveten. E të kujtojme një thënie te Leon Bloit, një njeriu të penduar, plot zjarr, i cili një ditë pati thënë: “Ekziston vetëm një lloj trishtimi: është trishtimi që na pushton kur mendojmë se nuk jemi shenjtorë e unë dëshiroj që askush të mos e provojë këtë trishtim; dëshiroj që të gjithë të jenë shenjtorë.







All the contents on this site are copyrighted ©.