Papa ambasadorit të ri bullgar: vlerat e krishtera nuk janë thjesht trashëgimi e së
kaluarës, por krijuese të shpirtit të Evropës.
(31.10.2009 RV)“Shembja e Murit
të Berlinit, e cila 20 vjet më parë i krijoi Bullgarisë kushtet për të hyrë në rrugën
demokratike, plotësuar para dy vjetësh, nga hyrja në Bashkimin Evropian, nuk duhet
ta bëjë të harrojë se bashkimi ndërmjet shteteve të Kontinentit, duhet bazuar mbi
vlerat e respektimit të të drejtave të njeriut e të solidaritetit, të trashëguara
nga krishtërimi”. Këtë pohoi Benedikti XVI, duke pritur në audiencë ambasadorin
e ri bullgar pranë Selisë së Shenjtë, Nikola Kaludov, në Vatikan, për paraqitjen e
letrave kredenciale.18 vjet pas shembjes së Perdes së hekurt, simboli më i dukshëm
i së cilës ishte Muri i Berlinit, Bullgaria hyri në Bashkimin Evropian. Kjo është
koha, që iu desh Bullgarisë pas-komuniste për të shkruar historinë e saj më të re.
Benedikti XVI i njohu e i përshëndeti përpjekjet e bëra nga Shteti evropiano-lindor
për të arritur bashkimin me Evropën, në vitin 2007. Por paralelisht, ripohoi se në
procesin e ndërtimit evropian, kombet nuk duhet të flijojnë identitetin e tyre kulturor;
përkundrazi, të gjejnë mënyra që një identitet i tillë ta pasurojë mbarë bashkësinë.
E Bullgaria nuk duhet të harrojë se ka një trashëgimi të pasur të krishterë, që vlen
për të sotmen e për të ardhmen, një thesar vlerash e bindjesh, që duhet ta nxisin,
atë e vendet e tjera evropiane, të krijojnë kushtet për një globalizim të realizuar
mirë, edhe jashtë kufijve kontinentalë, duke i shërbyer njeriut e njerëzimit në tërësi.
Në këtë rast, është e nevojshme përmasa shpirtërore dhe etike, që duhet të vihet në
jetë nga të gjithë nëpunësit publikë me një impenjim të madh moral, pa shikuar asnjë
interes tjetër, veç realizimit me sukses të detyrës që u është besuar, në shërbim
të së mirës së përgjithshme. Kultura e krishterë, sunduese në historinë e popullit
bullgar – pohoi Papa - nuk është thjesht trashëgimi e së kaluarës, që duhet ruajtur,
por garanci për një ardhmëri shumë premtuese, sepse e mbron njeriun nga tundimet,
të cilat mund ta bëjnë të harrojë madhështinë e tij, unitetin e gjinisë njerëzore
e solidaritetin ndërmjet gjithë popujve.