2009-10-30 17:42:47

Drejtori i 'Osservatore Romano' hedh poshtë kritikat e Küng ndaj Papës


(30.10.2009 RV)RealAudioMP3 “Edhe një herë një vendim i Benediktit XVI pikturohet me ngjyra të forta, të paramenduara e, sidomos, larg realitetit”. Kështu e komenton drejtori i gazetës vatikanase L’ Osservatore Romano, Xhan Maria Vian, një artikull shkruar nga Hans Küng, teolog zviceran, ‘koleg e mik i vjetër’ i Papës. Shkrimi u botua me bujë në Angli, nga gazeta ‘The Guardian’ e në Itali, nga ‘Repubblica’.
Vetë Papa, në vitin 2005, vetëm pesë muaj pas zgjedhjes në papni – kujton Vian – deshi ta takonte miqësisht Küng-un, pavarësisht nga fakti se Selia e Shenjtë nuk e konsideronte më teolog katolik. Që asokohe Küng, i botuar e i ribotuar nga mjete komunikimi me ndikim mbi lexuesit, ka vijuar ta kritikojë, me ashpërsi e pa kurrfarë baze, Benediktin XVI.
Ashtu si bëri edhe tani, duke e parë me sy kritik ‘njoftimin, vërtetë historik, nga ana e Selisë së Shenjtë, lidhur me organizimin e ardhshëm të strukturave kanonike, që do të krijojnë kushtet e përshtatshme për bashkimin e shumë anglikanëve me Kishën katolike”.
Një gjest ky, që ka për qëllim rindërtimin e bashkimit – ripohon drejtori i së përditshmes vatikanase – por që shtrembërohet e paraqitet, me fjalë të mëdha, si të ishte një veprim dinak, i cili mund të lexohet me sy politik, natyrisht nga e djathta ekstreme.
Vian e quan këtë ndërhyrje të Küng si “paraqitje, sa e zymtë, aq edhe e pabazuar, e Kishës katolike dhe e Benediktit XVI”, duke shprehur hidhërimin e tij përballë këtij sulmi të ri, të pathemeltë, kundër Kishës së Romës dhe impenjimit të saj të padiskutueshëm ekumenik.Të dëgjojmë opinionin e dom Marjan Palokës për këtë sulm të ri kundër Papës, në mikrofonin e programit shqip të Radio Vatikanit....RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.