2009-10-29 15:04:11

Çelësi i fjalëve të Kishës:pse thuhet se Krishti është “shpëtimi” ynë i vetëm?


(29.10.2009 RV)RealAudioMP3 Krishti është rruga, e vërteta dhe jeta: Kisha e ka për detyrë t’ua përçojë këtë mesazh njerëzve të kohës sonë. Edhe filozofi Hegel, me të cilin komunizmi ka luajtur shumë, e konsideronte krishterimin si fe absolute, duke pasur parasysh unicitetin dhe universalitetin e Krishtit. Në këtë kuptim, krishterimi nuk është opinion dhe përpjekjet për ta reduktuar të vërtetën në opinion, në fund të fundit, i mohojnë njeriut aftësinë për ta kërkuar e për ta gjetur të Vërtetën, duke e lënë të kënaqet me fragmente të së vërtetës, për të cilat askush nuk është i gatshëm të vërë në diskutim jetën. Gjithsesi, te njeriu mbetet dëshira për të vërtetën, për të mirën e për të bukurën, parë si vlera absolute, jashtë kompromiseve e relativizimeve që imponon historia.
Këtu duhet të bëjmë tri arësyetime. Së pari: e vetmja e vërtetë universale shëlbuese, që është Krishti, na vjen përmes mishërimit, pra, e fshehur në mesin e shumë fragmenteve të së vërtetës, të së mirës e të së bukurës në botë. Sugjestiv për këtë është një citim i Paskalit, që Papa Gjon Pali II e ka fiksuar në Enciklikën “Fides et Ratio”: “Në njëfarë mënyre, sillemi drejt horizontit sakramental të Zbulesës e, në veçanti, drejt shenjës eukaristike, ku uniteti i pandashëm ndërmjet realitetit dhe domethënies së tij na lejon të kuptojmë thellësinë e misterit. Krishti në Eukaristi është vërtet i pranishëm dhe i gjallë, vepron përmes Shpirtit të tij, por siç e thoshte mirë shën Toma, “ti nuk e sheh, nuk e kupton, por feja ta konfirmon, përtej natyrës. Ajo që duket është një shenjë: fsheh mistershëm realitete sublime”. I bën jehonë filozofi Paskal: “Ashtu si Jezu Krishti mbeti i panjohur në mesin e njerëzve, ashtu edhe e vërteta mbetet në mesin e opinioneve të zakonshme, pa u dukur nga jashtë. Kështu mbetet Eukaristia në mesin e bukës së zakonshme” (n.13).
Arësyetimi i dytë ka të bëjë me faktin se e vërteta e Krishtit nuk mund të imponohet me forcë. Për t’u bërë e vërtetë shëlbuese duhet të pranohet lirisht. Që këtej vjen ndryshimi i thellë ndërmjet së vërtetës së krishterë dhe të vërtetave të botës, që i njohim pa shumë përpjekje. E vërteta që është Krishti, kur ka të bëjë me lirinë e njeriut, lë gjithnjë një hapësirë për ta pranuar ose refuzuar. Zoti e respekton kaq shumë njeriun, saqë është i gatshëm të pranojë edhe refuzimin e tij.
Reflektimi i tretë ka të bëjë me mundësinë e shëlbimit për ata që kanë fe tjetër, ose që nuk e mbajnë veten për besimtarë. Ky argument është trajtuar gjerësisht në Deklaratën konciliare “Nostra Aetate”. Këtu po themi se mundësia e shëlbimit, përveçse përmes misterit të mëshirës së Zotit, për sa dimë ne, kalon edhe përmes mundësisë për të çuar drejt Krishtit, ndoshta edhe fshehurazi, ato që martiri Justin i quante “farat e Fjalës” të pranishme në kulturë, fe e filozofi.
Nga ana tjetër, shën Toma pohon se çdo e vërtetë, pavarësisht se nga cili shprehet, vjen nga Shpirti i Shenjtë. Ne na mbetet detyra për ta njohur e pranuar, duke qenë të vetëdijshëm se asgjë nuk humbasim nga feja jonë e se dialogu i vërtetë me fetë e kulturat e tjera nuk mund të kompromentojë identitetin tonë, nëse ky i ka rrënjët thellë.







All the contents on this site are copyrighted ©.