2009-10-29 17:45:47

Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama: Lufta kundër korrupsionit, me rëndësi në proceset integruese të Shqipërisë


(29.10.2009 RV)Në Shqipëri gjashtë njësi të reja "Task Force", të ngritura në prokuroritë e rretheve, nisën sot punën për luftën kundër krimit ekonomiko- financiar dhe korrupsionit.
Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama shprehu rëndësinë që kanë këto struktura në luftën kundër krimit ekonomik dhe korrupsionit, të cilin e konsideroi si një "krim të sofistikuar".
"Shoqëria jonë pret shumë nga puna për luftën kundër korrupsionit", tha Kryeprokurorja Rama, gjatë një takimi që zhvilloi sot paradite me drejtuesit e këtyre strukturave, në mjediset e Prokurorisë së Përgjithshme në Tiranë.
Zn. Rama kërkoi nga anëtarët e "Task Forcë" kurajo, përkushtim dhe bashkëpunim të ngushtë me njëri- tjetrin në këtë mison që, siç u shpreh ajo, është "tepër i rëndësishëm për proceset integruese të Shqipërisë në Bashkimin Evropian".
Gjashtë strukturat e reja "Task Forcë" janë ngritur në prokuroritë e rretheve Korçë, Shkodër, Durrës, Fier, Vlorë dhe Gjirokastër. Këto struktura përbëhen nga specialistë të Prokurorisë, Policisë së Shtetit, Ministrisë së Financave, Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Inspektoriatit të Deklarimit të Pasurive të Zyrtarëve, sipas një memorandumi të nënshkruar në muajin maj 2009 nga krerët e këtyre institucioneve, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Një strukturë e ngjashme "Task Forcë" funksionon prej dy vjetësh në Prokurorinë e rrethit Tiranë dhe rezultatet e arritura prej saj në luftën kundër korrupsionit janë konsideruar të mira nga drejtuesit e Prokurorisë së Përgjithshme dhe partnerët ndërkombëtarë.







All the contents on this site are copyrighted ©.