Imzot Çeli me mision në Kubë: një mundësi e re për thellimin e dialogut
(29.10.2009 RV)Kryeipeshkvi Klaudio Maria Çeli, kryetar i Këshillit Papnor
të Komunikimeve Shoqërore, do të vizitojë Kubën më 4 deri më 8 nëntorin e ardhshëm.
Është një rast i rëndësishëm për thellimin e dialogut ndërmjet Kishës katolike e Shtetit,
posaçërisht në sektorin e mjeteve të komunikimit. Ta dëgjojmë imzot Çelin,
në mikrofonin e Radio Vatikanit:
Përgjigje: - Më ftuan ipeshkvijtë
kubanë. Do të takohem me Konferencën ipeshkvnore e, më pas, me ata që merren me sektorin
e mediave. Kuba, siç mund ta përfytyroni, ka mbi shpinë vështirësi të mëdha. Tani
të krijohet përshtypja se këto vështirësi janë duke u kapërcyer e Kuba është duke
pyetur veten ç’duhet të bëjë, si duhet të lëvizë e ç’rrugë duhet të marrë. Atëherë
e pranova këtë ftesë. Edhe për mua do të jetë sfidë, e madje, sfidë tejet interesante.
Prandaj, kur kardinali i Havanës më ftoi, pranova menjëherë, sepse besoj që për Këshillin
Papnor është me interes t’i njohë problemet kryesore të botës e të përpiqet për të
gjetur edhe mundësitë e bashkëpunimit.
Pyetje: -
Imzot Çeli, a mund të ndikojë, sipas jush, komunikimi edhe në zhvillimin e shoqërisë
kubane?
Përgjigje: - Në se Zoti është komunikim, njeriu i
krijuar sipas shembëllesës së Hyjit është edhe ai komunikim. E sa herë që diçka i
pengon të komunikojnë, njeriu nuk mund të realizohet plotësisht. Ja, kështu ndodh
edhe në Kishë. Kur nuk është e aftë – për shkaqe të brendshme ose, e sidomos, për
shkaqe të jashtme – të komunikojë, të jetë ajo që është e që duhet të jetë, Kisha
vuan në brendësinë e vet. Ja, pra, prandaj unë besoj se kjo mundësi do të jetë interesante
për Kishën në Kubë: si të përballohet ky dialog, që tashmë ekziston, por që sot na
krijon kushtet e përdorimit të teknologjive të reja. Kjo sigurisht do të jetë tepër
interesante.