2009-10-28 18:54:20

U paraqit në Vatikan ekspozita kushtuar Atë Mateo Riçit “Në kreshtat e historisë: Atë Mateo Riçi ndërmjet Romës e Pekinit”.


(29.10.2009 RV)“Në kreshtat e historisë. Atë Mateo Riçi (1552-1610) ndërmjet Romës e Pekinit” – titullohet ekspozita, që u paraqit dje paradite në Sallën e Shtypit të Vatikanit, për të kujtuar misionarin jezuit në 400-vjetorin e vdekjes. Ekspozita, që do të mund të vizitohet duke nisur nga e premtja e ardhshme, deri më 24 janar, e vendosur në Krahun e Karlit të Madh, në Vatikan, është organizuar në pesë seksione.
Në paraqitje mori pjesë edhe imzot Klaudio Xhuliodori, ipeshkëv i Maçerata- Tolentino-Rekanati-Çingoli–Treia. Prelati uroi të shpejtohet shenjtërimi i Atë Riçit, i cili u nis nga Maçerata e u bë ‘kinez ndërmjet kinezëve’ deri ditën që mbylli sytë përgjithmonë. Në këtë ekspozitë, që vë në dukje, sidomos, faktin se në Kinën e sotme, Atë Mateo Riçi konsiderohet së një nga etërit themelues të qytetërimit kinez mund ta njohim misionarin e madh jezuit në një mori aspektesh, që karakterizuan figurën e tij madhore. E kjo shprehet edhe përmes përdorimit të studiuar të dy ngjyrave: ngjyrës së kaltër, që sundon në sektorin e Perëndimit – e asaj të kuqe perandorake, në sektorin e Botës së re, ku jetoi Mateo Riçi. Dy ngjyra – dy botë, që vihen ballë për ballë, bien menjëherë në sy në sektorin e parë e të dytë. Në atë kinez, tërheq vëmendjen një elter i madh i Konfucit, që vjen nga Muzeu Etnografik Misionar i Vatikanit e, përballë tij, figura e Budës, me pamje plot mëshirë e mirësi. Pastaj, një pikturë e madhe, e bukur, e Pier Paolo Rubensit, që paraqet lumnimin e Injacit të Lojolës, e cila vjen nga Kisha e Jezusit e Gjenovës. E për ironi të fatit, kësaj radhe është një vend komunist e ateist, si Republika Popullore e Kinës, që ngre lart rolin e jezuitit Mateo Riçi. Kujtojmë se kinezët kanë bërë të vetët vetëm dy të huaj, njëri nga të cilët, Mateo Riçi, të cilin mund ta njohim nga afër duke vizituar ekspozitën.
Kujtojmë se mbi figurën madhore të këtij jezuiti misionar, është realizuar një doku-film nga regjisori shqiptar nga Kosova, Gjon Kolndrekaj me titullin: “ Mateo Riçi: një jezuit në mbretërinë e dragoit”, i cili u projektua në Vatikan kohë më parë.







All the contents on this site are copyrighted ©.