2009-10-28 16:39:42

Terrorizmi taleban vazhdon të godasë Pakistanin dhe Afganistanin


(28.10.2009 RV)RealAudioMP3 Afganistani e Pakistani gjithnjë e më tepër në duart e terrorizmit pro taleban. Sot paradite, një atentat i rëndë shkaktoi rreth 95 të vdekur e 200 të plagosur në Peshavar të Pakistanit, pikërisht në ditën në të cilën sekretarja amerikane e shtetit, Hilari Klinton zbarkoi në Islamabad. Po sot paradite, terroristët sulmuan një ndërtesë të OKB-së në Kabul. 9 persona mbetën të vrarë, ndër të cilët 6 veprimtarë të OKB-së. Mbi objektivat e talebanëve, të cilët morën përsipër atentatet, intervistuam pedagogun e Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Milanos, Aleksandër Kolombo:
Ka shumë mundësi që objektivat të jenë të ndryshme në Afganistan e në Pakistan e të jenë të ndryshme madje edhe brenda Afganistanit. Vazhdojmë të flasim për talebanët sikur të ishin një, por është e qartë se guerrilja ka forma të ndryshme, në të cilat hyjnë ç’mbetet nga regjimi i vjetër taleban, disa milici të tjera islamo-radikale, që patën luftuar kundër talebanëve, e pastaj, subjekte të tjera që ndjekin objektiva private e politike e madje edhe trafikantët e drogës. Prandaj, ka pak nga të gjitha. Qëllimi është natyrisht, destabilizimi i Afganistanit për ta bërë të vështirë ose të pamundur veprimin e kontingjentit ndërkombëtar. Objektivi politiko-ushtarak është ai i rritjes së kostos së pranisë amerikane e perëndimore në përgjithësi. Mënyra e vetme për këtë është të hapen sa më tepër fronte dhe turbullirat të vazhdojnë sa më gjatë, që armiku t’i bëjë vetes pyetjen: “A ka më kuptim të qëndroj këtu, apo jo?”
Çfarë i lidh Pakistanin me Afganistanin në këtë moment?
Ky është ndoshta një ndër paradokset kryesore të strategjisë së dështuar, të paktën deri më sot, të SHBA-ve e të aleatëve të tyre në zonë. Ideja fillestare ishte që Pakistani të gjente burime për stabilizimin e Afganistanit, ndërsa po ndodh ekzaktësisht e kundërta, pra, paqëndrueshmëria afgane po shtrihet edhe në Afganistan, deri në atë pikë, sa ta çojë shtetin drejt rënies.
Nga pikëpamja strategjike, a ka kuptim prania e bashkësisë ndërkombëtare në rajon?
Mendimi im është se më tepër se sa pasiguri në administrimin e misionit, kemi pasiguri në objektivin e misionit. Sinqerisht, ky i fundit është bërë i pakuptueshëm. Natyrisht, nuk mund të mendohet se mund të arrihet ç’u deklarua në fillim, demokratizimi i Afganistanit. Mendoj se sidomos nga ana e amerikanëve, duhet reflektuar mbi objektivat, më shumë se sa mbi mjetet për t’i arritur ato.
Pas talebanëve a mund të fshihet Al Kaida? E nëse po, cili është qëllimi: krijimi i një internacionaleje terroriste?
Al Kaida është si në Afganistan, ashtu edhe në Pakistan, por nuk kuptohet mirë se cila është pesha e rrjetit terrorist në krahasim me komponentet e tjera. Strategjia e Al Kaidës është t’i detyrojë SHBA-të dhe aleatët të marrin përsipër impenjime të skajshme. Kjo deklarohet në shumë dokumente, edhe në disa reflektime të Al Zavahirit, pra, jo aq fitimi i një copë toke më shumë, por hapja e shumë fronteve, në mënyrë që amerikanët të mos munden t’i administrojnë dot.







All the contents on this site are copyrighted ©.