2009-10-28 16:39:31

Në Itali ka më shumë se 4 milion emigrantë të rregullt. Raporti 2009 i Karitas-Migrantes


(28.10.2009 RV)RealAudioMP3 “Njohje dhe solidaritet” është parrulla e Raportit të sivjetëm të Karitasit të Romës dhe të Migrantes mbi emigrantët e pranishëm në Itali. Janë mëse 4 milionë, prej të cilëve 862 mijë të mitur. Në rritje, përqindja e lindjeve nga emigrantët, gati 10% e lindjeve të përgjithshme. 600 mijë fëmijë emigrantësh shkojnë në shkollë e prej tyre 6 mijë marrin diplomën e universitetit. Në paraqitjen e Dosjes Statistikore ishte i pranishëm edhe presidenti i Dhomës italiane të Deputetëve, Xhanfranko Fini, i cili nënvizoi se ka ardhur koha, që pas “paketës së sigurisë”, të miratohet një “paketë integrimi” për të huajt që jetojnë në Itali. Të dëgjojmë koordinatorin e Dosjes mbi emigracionin, Franko Pitau:
Do të thotë që deri më sot, nëse dëgjohen televizioni, gazetat, apo deklaratat e politikanëve, kushdo mendon se duhet të kemi kujdes nga emigracioni, se është i rrezikshëm. Mendon për emigrantët, për kriminalitetin e për problemet që vijnë prej tyre. Kjo për Karitasin e për Migrantesin nuk ka bazë. Askush nuk e mohon se ka edhe problematika të vërteta, por, në thelb, emigracioni është një mundësi e jashtëzakonshme. Duhet të mësohen italianët ta thonë qartë e me numra në dorë se emigracioni është pasuri për Italinë e sotme e për atë të së ardhmes, pasi nëse nuk do të ishte emigracioni nuk do ta përballonim dot të ardhmen. Kjo më duket pozitive! Ne sot, në këtë fazë të vështirë në Itali, kemi nevojë për shpresë e jo për shqetësime të kota! Emigracioni është një mundësi që jep shpresë, por kjo nuk thuhet!
Shpesh emigrantët shihen me frikë, pasi mendohet se prania e tyre mund të verë në rrezik traditën kulturore italiane e madje edhe identitetin fetar…
Kisha katolike është realiteti më i madh i rreshtuar në favor të emigrantëve. Duhet të kemi respekt për përgjegjësit e fesë: Kisha na ka thënë gjithnjë se Zoti nuk mund të jetë pretekst për të luftuar vëllezërit. Pastaj, mund të them se nga informacioni që kemi ne, me mijëra veprimtarë në territor, përveç fraksioneve tepër të ngushta, emigrantët e duan Italinë, e vlerësojnë kulturën, artin, historinë e gjuhën e saj… Këta janë njerëz që mund të bëhen qytetarët e rinj italianë. Nëse bindemi për këtë, e kemi fituar luftën dhe politika mbi emigracionin do të jetë me të vërtetë e frytshme.







All the contents on this site are copyrighted ©.