2009-10-27 16:13:16

Papa më 2 maj 2010 në Torino për Sindonën


(27.10.2009 RV)RealAudioMP3 Papa Benedikti XVI do të shkojë më 2 maj 2010 në Torino, me rastin e ekspozimit të Sindonës, nga 10 prill deri më 23 maj të vitit të ardhshëm. Lajmi u dha sot me anë të një letre, nga kryeipeshkvi i qytetit verior italian, kardinal Severino Poleto, i cili dje u prit në Vatikan nga Ati i Shenjtë. Akti i parë i Benediktit XVI do të jetë lutja para Sindonës së Shenjtë në katedralen e Torinos. Më pas do të kremtojë Meshën solemne për të gjithë shtegtarët e mbledhur në sheshin e Shën Gjonit e do të thotë sëbashku me ta Lutjen e Engjëllit të Tënzot. Pasdite, Papa do të takohet me të rinjtë e gjatë rrugës, do të ndalet në Kotolengo për t’u takuar e për të bekuar personat që qëndrojnë në Shtëpinë e Vogël të Provanisë Hyjnore.
Në letrën e tij, kardinal Poleto shpjegon qartë se ç’pret Kisha e Torinos nga kjo vizitë e Papës. “Dita që Ati i Shenjtë do të kalojë në Torino – shkruan ai – do të jetë për të gjithë një rast “unik” për ta takuar, për t’u lutur për të dhe me të, si edhe për të dëgjuar mesazhin e veçantë, që Ai do t’i sjellë Kishës torineze e krejt shoqërisë civile në territorin tonë. Papa do t’u dhurojë një fjalë ngushëlluese të vuajturve në përkim me temën e Ekspozimit të Sindonës “Passio Christi, Passio hominis”. Përveç kësaj, në frymën e enciklikës së tij të fundit “Caritas in Veritate”, do të inkurajojë e do t’u japë shpresë të gjithë atyre, që po dridhen për një vend pune në këtë qytet, i cili është konsideruar gjithnjë “qyteti i punës dhe i industrisë”, por që në këtë moment, ndjen më shumë se kushdo tjetër, pasojat e një krize të gjerë e të zgjatur më shumë nga sa mendohej”. Kardinali i fton besimtarët të luten për vizitën e Papës.








All the contents on this site are copyrighted ©.