2009-10-27 16:14:04

Konferencë mbi Ferrin në Universitetin Katolik të Milanos


(27.10.2009 RV)RealAudioMP3 U zhvillua këtyre ditëve në Universitetin Katolik të Milanos në Itali një konferencë mbi Ferrin. Në qendër të takimit, pyetja nëse është edhe sot e kësaj dite e mundur të mendohet për mallkimin e përjetshëm, para mëshirës së pafundme hyjnore. Gjatë simpoziumit u tha se madje edhe në homeli flitet gjithnjë e më pak për Ferrin. Intervistuam për arësyet, pedagogun e Teologjisë Sistematike në Fakultetin Teologjik të Italisë Veriore, imzot Xhakomo Kanobion, i pranishëm në konferencë:
Mua më duket se arsyet janë dy. E para është theksimi i mëshirës së Zotit. Nëse Zoti është vërtet i mëshirshëm – dhe e ka treguar këtë përmes Jezu Krishtit – si mund të imagjinohet se mund të dënohet ndokush përfundimisht? Arsyeja e dytë më duket se qëndron në faktin se tashmë imazhet me të cilat pikturohej Ferri konsiderohen të vjetra, para konceptit shkencor mbi botën. Duke bashkuar këto arsye kuptohet se pse njerëzit nuk kanë fort qejf të flasin për Ferrin. Edhe sepse mentaliteti mbizotërues ka nevojë vetëm për gratifikim e jo për vlerësim kritik të akteve të njerëzve.
Imzot Kanobio, një nga pikat qendrore të së ashtuquajturës “teologji e Ferrit dhe e Parajsës” është të kujtojë se janë dy mundësi, që varen nga liria e përgjegjësia e secilit. Ndoshta, duke e shpjeguar mirë këtë koncept mund të flitet sërish për Ferrin?
Nga ana e Zotit, duhet të pranojmë ofertën e mëshirës, pasi përndryshe Jezu Krishti nuk do të ekzistonte: Jezu Krishti është Fytyra e Mëshirshme e Hyjit, që është dukur në histori. Por, para kësaj Fytyre të Mëshirshme, njeriu duhet të vendosë. Nëse do të mendonim se Zoti dëshiron t’i shpëtojë njerëzit me çdo kusht, pavarësisht nga vullneti i njeriut, ky i fundit nuk do të ndihej më përgjegjës si për shpëtimin, ashtu edhe për dështimin e jetës së vet. Zoti dëshiron që njerëzit të dialogojnë me të, që njeriu të verë në diskutim vetveten para Mëshirës hyjnore. Në fund të fundit, jam unë ai që, para ofertës së mëshirës, vendos ta pranoj ose jo.
Por, nga pikpamja teologjike, nuk mund të përjashtohet që hiri, mëshira e Zotit ta kundërshtojnë vendimin e njeriut për t’u larguar nga bashkimi me Hyjin…
Sigurisht. Ne nuk mund ta dimë saktë nëse ndokush e ka kundërshtuar me të vërtetë mëshirën e Zotit: nuk mund ta themi e nuk mund ta thotë as Kisha, që jo rastësisht mund të lumnojë, të shpallë shenjtorë, por nuk mund të deklarojë se një person i caktuar është në Ferr, pasi detyra e Kishës është thjesht të shpallë Ungjillin e Shëlbimit. Por nëse do t’ia hiqnim personit mundësinë për të refuzuar mëshirën e Zotit, ne do të shkatërronim ç’është më origjinale te njeriu: lirinë e tij dhe mundësinë për të vendosur për vetveten.
Pra, të gjithë mund të shpresojnë shëlbimin?
Do të thosha se pikërisht ky është mesazhi i krishterë! Por, të shpresosh se të gjithë do të shëlbohen nuk do të thotë që kjo do të ndodhë me siguri! Do të thotë se sjellja ime prej të krishteri, që e ka njohur mëshirën e Zotit, është bashkëndarja e dëshirës së Hyjit për t’i shpëtuar të gjithë. Në Ungjillin e Shën Mateut ka një pjesë shumë interesante, në kapitullin e 18-të, ku Jezusi tregon sjelljet që duhet të kemi para atyre që kanë gabuar. Thotë: “Ati juaj qiellor nuk dëshiron që ndokush të humbasë”. Ja: ky është qëndrimi i krishterë.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.