Hagë: dita e dytë e procesit të Radovan Karaxhiqit.
(27.10.2009 RV)Dita e dytë e procesit
gjyqësor që po mbahet në Hagë ndaj të pandehurit Radovan Karaxhiq, ish-udhëheqës i
serbëve të Bosnjës, akuzuar për gjenocid. Ashtu si dje edhe sot i pandehuri nuk u
paraqit në sallën e gjyqit. Dje gjyqtarët shtynë seancën me shpresë se Karaxhiqi do
të merrte pjesë në procesin e vet, por sot gjyqi hyri në një fazë të re të tij: u
lexuan 11 akt-akuzat kundër Karaxhiqit, i cili, siç dihet, i ka refuzuar avokatët
dhe ka thënë se do mbrohet vetë. Është ky një qëndrim që ngjason shumë me atë të Sllobodan
Millosheviqit. Mbi ngjashmëritë ndërmjet këtyre dy të akuzuarve për krime lufte në
mikrofonin tonë flet Masimo Nava, gazetar i gazetës “Il Corrire della Sera”,
dëshmitar i konfliktit në ish-Jugosllavi. Ta ndjekim:
Përgjigje: Ka
një taktikë të ngjashme, sepse me sa duket vetë përvoja e gjyqeve në Hagë ka treguar
se koha, në fund të fund, është një aleate me vlerë. Nuk qe kështu për Millosheviqin
vetëm për arsye shëndetësore, por gjithsesi kohëzgjatja e procedurave dhe vetë koha
që nevojitet për procesin, janë në favor të të pandehurit dhe kështu që të gjithë
të pandehurit në Hagë e kanë mësuar këtë taktikë. Ndërsa gjëja e dytë që më bën
përshtypje qëndron tek psikologjia e dy të pandehurve, në kuptimin që Millosheviqi
jo vetëm që ka marrë pjesë në të gjitha seancat gjyqësore, por si të thuash, është
përpjekur të organizojë mbrojtjen e vet në një kontekst të historizuar. Karaxhiqi,
të paktën deri tani, duket se nuk po e njeh legjimitetin e trupit gjyqësor. Mënyra
e tij për të fituar kohë, ndoshta është e lidhur me faktin se nuk e priste fare arrestimin.
Ndoshta do ta organizojë mbrojtjen e vet me kartat që ka në dorë, e në fund do të
bëjë shantazh me ndonjë nga anët e errëta të ngjarjeve që lidhen me të.
Pyetje:
Sidoqoftë, fakti se njerëz si Karaxhiqi i nënshtrohen procesit gjyqësor, duke
e pasë marrur dënimin e opinionit publik si kriminel lufte, nuk ia heq vlefshëmërinë
këtyre lloj gjyqeve, apo jo?
Përgjigje: Këto procese kanë një vlerë
ngushtësish juridike dhe me sa duket mbyllen gjithmonë me një dënim, ose me një të
vërtetë juridike. Kanë pastaj edhe një funksion moral dhe politik sepse i japin opinionit
publik një të vërtetë historike, një të vërtetë morale, që në njëfarë mënyre i dëmshpërblen
viktimat.
Pyetje: Si e përjetojnë njerëzit sot atë të kaluar që në fund
të fundit nuk është edhe aq e largët?
Përgjigje: Është e qartë se gjendja
është ende shumë e ndërlikuar, mbi të gjitha në Bosnjë, ku e ardhmja nuk është e dallueshme,
nuk është e prekshme në këto çaste. Bosnja mbetet një pikë delikate sepse ndarja etnike
dhe alkimia institucionale që është krijuar aty nuk ka dhënë ende rezultate me vlerë.