2009-10-27 16:13:52

Benedikti XVI Karekinit II në 10-vjetorin e zgjedhjes si Katolikos i të gjithë armenëve: gjithnjë e më të forta lidhjet me Kishën Katolike


(27.10.2009 RV)RealAudioMP3 Një rast i gëzueshëm për të nënvizuar përparimet në dialogun ekumenik: ky është thelbi i mesazhit të Papës Benedikti XVI për Karekinin II, në 10-vjetorin e zgjedhjes së tij si Patrik suprem dhe Katolikos i të gjithë armenëve. Ati i Shenjtë nënvizon punën e madhe të Karekinit II për të përforcuar krishterimin në tokën armene.
Papa kujton se pikërisht atij i takoi të marrë në dorë fatet e Kishës Apostolike Armene, menjëherë pas rënies së komunizmit, në një situatë aspak të lehtë. Por, nëse shihen iniciativat e sotme për edukimin e krishterë të rinisë, për formimin e klerit, për krijimin e famullive të reja e të shumë qendrave kishtare, për promovimin e vlerave të krishtera në jetën shoqërore e kulturore të kombit, kuptohet puna e madhe dhe përpjekjet e jashtëzakonshme, që kanë dhënë fryte të kënaqshme. Mesazhi përfundon me lutjen drejtuar Zotit, që katolikët dhe armenët apostolikë të jenë gjithnjë e më të bashkuar me lidhje feje, shprese e dashurie.
Sipas një tradite të lashtë, kanë qenë Apostujt Bartolomeu dhe Tadeu, ata që kanë çuar Ungjillin në mesin e popullit armen, i cili u kthye në fenë e krishterë në vitin 301 për hir të Shën Gregorit Ndriçues, apo të Shën Gregorit të Armenëve. Për këtë arsye, Kisha armene quhet edhe Kishë gregoriane. Armenët pranuan direktivat e tri Koncileve Ekumenike, por nuk morën pjesë në Koncilin e Kaledonisë në vitin 451, duke i dhënë kështu jetë një Kishe autoqefale. Në vitin 1996, Papa Gjon Pali II dhe Karekini I nënshkruan një deklaratë të përbashkët për të zgjidhur shumë keqkuptime të së kaluarës.








All the contents on this site are copyrighted ©.