Në takimin e parë mbajtur në Vatikan me Vëllazërinë e Shën Piu X dolën në pah çështjet
kryesore të natyrës doktrinore.
(26.10.2009 RV)Sot paradite në
Vatikan pranë Kongregatës së Vatikanit për Doktrinën e Fesë e të Komisionit Papnor
Ecclesia Dei, është mbajtur takimi i parë i Komisionit të studimit, formuar prej ekspertëve
të të njëjtit Komision dhe Vëllazërisë Meshtarake të Shën Piut X, me qëllim të shqyrtimit
e studimit të vështirësive doktrinore që ekzistojnë ende ndërmjet Vëllazërisë së shën
Piu X dhe Selisë Apostolike të Romës. “Në një atmosferë të përzemërt, pozitive
e në respekt të anasjelltë - informon një deklaratë e Sallës së Shtypit e Selisë së
Shenjtë - janë nënvizuar çështjet madhore të natyrës doktrinore që do të trajtohen
e diskutohen gjatë bashkëbisedimeve që do të vazhdojnë në muajt e ardhshëm e do të
mbahen çdo dy muaj”. Në mënyrë të veçantë, vijon deklarata, “janë shqyrtuar çështjet
lidhur me botëkuptimin që ka Tradita, Meshari i Palit VI, interpretimi i Koncilit
të II të Vatikanit në vazhdimësi me Traditën doktrinore katolike, me temën e bashkimit
të Kishës e të parimeve katolike të ekumenizmit, atë të marrëdhënies ndërmjet Krishterimit
e feve jo të krishtera dhe të lirisë fetare”. Gjatë takimit, përfundon deklarata,
“është përcaktuar metoda dhe organizimit i punës”.