2009-10-26 14:33:29

Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, Papa njoftoi se do ta dorëzojë në Qipro dokumentin e punës për Asamblenë kushtuar Lindjes së Mesme.


(26.10.2009 RV)Dje, në Lutjen e Engjëllit të Tënzot, kremtuar menjëherë pas përfundimit të Meshës solemne në tremen e Bazilikës së Shën Pjetrit, Benedikti XVI kujtoi se pikërisht me këtë kremtim përfundonte Asambleja e posaçme e Sinodit të Ipeshkvijve për Afrikën: tri javë, gjatë të cilave ipeshkvijtë u lutën dhe dëgjuan njëri-tjetrin, për të kuptuar atë që i thotë sot Shpirti Shenjt Kishës, e cila jeton në Kontinentin afrikan, e njëkohësisht, edhe Kishës universale.
Etërit sinodalë, ardhur nga të katër anët e Afrikës – vijoi Papa – folën për realitetin tejet të pasur të Kishave në vendet e tyre. Ndanë, kështu, së bashku, gëzimin që buron nga gjallëria e bashkësive të krishtera, të cilat vijojnë të rriten çdo ditë, në cilësi e sasi. Tokë pjellore, kjo e Afrikës, me dioqeza të mirorganizuara, të cilat sot janë në gjendje të nisin misionarë edhe në Kontinentet e tjera. Pasi shprehu kënaqësinë e tij për veprimtarinë misionare të meshtarëve afrikanë në botë, Papa u ndalua kryesisht tek puna me familjen:
“Vëmendje e posaçme iu kushtua familjes, që edhe në Afrikë përbën qelizën themelore të shoqërisë, por që sot kërcënohet nga rryma ideologjike, të ardhura nga jashtë. E ç’të themi, pastaj, për të rinjtë, të cilët ndodhen përballë presioneve të këtij tipi, të ndikuar nga modelet e mendimit e të sjelljes, që i kundërvihen vlerave njerëzore e të krishtera të popujve afrikanë?”.
Benedikti XVI u ndalua, shkurtimisht, në vijim, tek problemet aktuale, që u prekën në Asamble: tek nevoja e ngutshme për pajtim, drejtësi e paqe.
“Pikërisht për këtë – theksoi Ati i Shenjtë – Kisha përgjigjet duke ripropozuar kumtimin me hov të ri të Ungjillit dhe veprimtarinë për zhvillimin e gjithanshëm të njeriut. E gjallëruar nga Eukaristia, ajo përpiqet me të gjitha forcat që askujt të mos i mungojnë gjërat e nevojshme e të gjithë të mund të jetojnë me dinjitetin, që i përket çdo njeriu.
Më pas, mendimi i Papës shkoi përsëri në Afrikë, posaçërisht në Kamerun e Angola, ku ishte marsin e kaluar në shtegtim apostolik, për të takuar afrikanët e edhe për të nisur menjëherë përgatitjen e Sinodit për Afrikën. Nga tremja e Bazilikës së Shën Pjetrit, Benedikti XVI iu drejtua edhe një herë mbarë popullsive afrikane, posaçërisht të krishterëve, për t’u dorëzuar, simbolikisht, Mesazhin përfundimtar të kësaj Asambleje sinodale:
“Është një Mesazh, që niset nga Roma, Seli e Pasardhësit të Pjetrit, i cili i prin bashkimit universal, por mund të themi pa ngurrim edhe se e ka zanafillën në Afrikë, sepse përmbledh përvojën e saj, shpresat, projektet, e tani rikthehet në Afrikë, duke mbartur me vete pasurinë e një ngjarjeje, gjatë së cilës u ndje fuqimisht bashkimi në Shpirtin Shenjt”.
Të dashur vëllezër e motra, që më dëgjoni në Afrikë – vijoi Papa - ia besoj, në mënyrë të posaçme, lutjes suaj, frytet e punës së Etërve sinodalë dhe, me fjalët e Jezusit, ju inkurajoj “të jeni kripë e dritë e tokës së dashur afrikane”.
E ndërsa përfundoi ky Sinod, vitin e ardhshëm është parashikuar të mblidhet Asambleja e posaçme e Sinodit të Ipeshkvijve për Lindjen e Mesme – kujtoi Papa – e shtoi:
“Me rastin e vizitës sime në Qipro, do të kem kënaqësinë ta dorëzoj Instrumentum Laboris të këtij takimi të rëndësishëm”.
Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Benedikti XVI i përshëndeti shtegtarët e shumtë të pranishëm në disa nga gjuhët kryesore të botës, duke u kujtuar edhe një herë të gjithëve përfundimin e punimeve të Sinodit e rëndësinë e tij të jashtëzakonshme për ardhmërinë e Kontientit Afrikan. Në përfundim, ia besoi Zojës së Bekuar të krishterët dhe të gjithë banorët e Kontinentit.







All the contents on this site are copyrighted ©.