2009-10-26 17:31:20

Jozef Kovalçuk, nunc apostolik në Poloni, kujton figurën e Piut XII


(25.10.2009 RV)“Shërbëtor besnik, i matur e i mirë” – kështu e kujtoi imzot Jozef Kovalçuk, nunc apostolik në Poloni, Papën Piu XII, në homelinë e mbajtur gjatë Meshës, kremtuar sot paradite në bazilikën famullitare të Desios, në provinçën e Moncës e të Briancës. Ishte një funksion, që kremtohej me rastin e 90-vjetorit të shugurimit ipeshkvnor të Akile Ratit, në Varshavë, më 28 tetor 1919 dhe të përkujtimit të 70–vjetorit të vdekjes së tij.
“Shërbëtor besnik – tha imzot Kovalçuk – sepse ruajti pasuritë e çmuara, që nuk ishin të tijat: para së gjithash, fenë dhe mësimet e Jezusit.
Në në një çast historik, në përfundim të Luftës I Botërore, ai diti t’u bëjë ballë njerëzve më të pushtetshëm të tokës, duke e vënë besnikërinë ndaj Krishtit mbi çdo respekt njerëzor. Pati edhe një virtyt tjetër: maturinë, domethënë aftësinë për t’ia nënshtruar çdo veprim forcës së arsyes, karakteristikë që i shërbeu shumë për t’u mbrojtur nga “djajtë, gjarpërinjtë e helmet”, me të cilat u ndesh gjithë jetën: nga urrejtja ndërmjet popujve; drama e shtypjes, që e pengoi Poloninë të jetojë si komb i lirë e, posaçërisht, nga nacionalizmi që – vijoi nunci - prirej të depërtonte edhe në jetën fetare e në vetë njerëzit e Kishës, me tundimin për ta përdorur fenë e krishterë për qëllime, që s’kishin të bënin fare me të.
E këto helme iu desh t’i përballonte dhe më tragjikisht, kur mbi botën nisën të enden fantazmat më të tmerrshme të historisë moderne: nazimi, komunizmi e nacionalizmi. E megjithatë, ai nuk e humbi kurrë maturinë, që nuk ishte fjalë sinonime me kujdesin e tepruar e aq më pak, me frikën, por ishte shprehje e shikimit të kthjelltë të realitetit dhe aftësisë për të zgjedhur urtisht çastet kur duhej folur e kur duhej heshtur, kur duheshin denoncuar me guxim përpara mbarë botës rreziqet, që e kërcënonin e kur duheshin mbrojtur besimtarët nga shpërthimet e urrejtjes, që mund të ndizej nga çasti në çast edhe nga një fjalë e pamatur, e cila ndokujt mund t’i dukej guximtare.
Ai ishte plot butësi, si një atë i mirë familjeje, i ashpër në dukje, por që i kushtohet me mish e me shpirt të vetëve. Si përfundim – theksoi imzot Kovalçuk – ai realizoi në jetë ipeshkvin ideal, ravijëzuar nga Koncili tridentin e mishëruar nga Shën Karl Borromeo.
Mbeti, prandaj, shembull i shkëlqyer, që na mëson se duhet t’i përgjigjemi bujarisht e pa frikë thirrjes së dashurisë së Zotit”.E dje pasdite, gjatë paraqitjes së librit: “Akile Rati, prifti alpinist, që u bë papë’, shkruar nga Flavio Ronzoni, imzot Kovalçuk e quajti ‘Ipeshkvi polak, që e konsideronte Poloninë atdheun e tij të dytë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.