2009-10-25 17:05:32

Papa në drekën me Etërit sinodalë: për temën e pajtimit u gjet drejtpeshimi i duhur ndërmjet përmasës politike e asaj shpirtërore.


(25.10.2009 RV)Dje, në përfundim të Sesionit të 19-të të përgjithshëm të Sinodit për Afrikën, Benedikti XVI drekoi me Etërit sinodalë, në Sallën e Palit VI.
Gjatë këtij takimi vëllazëror, Ati i Shenjtë vlerësoi punën e mirë që u bë në Sinodin afrikan dhe shprehu mirënjohjen e tij:
“Të dashur vëllezër e motra, tani është koha për thënë faleminderit; mbi të gjitha, për të falënderuar Zotin që na thirri, na bashkoi, na ndihmoi të dëgjojmë fjalën e Tij, zërin e Shpirtit Shenjt e kështu na krijoi mundësitë për të gjetur rrugën e unitetit, në larminë e përvojave; unitetin e fesë e të bashkimit në Zotin. Prandaj fjala Kisha-Familje e Zotit, nuk është më thjesht koncept, ide, është përvojë e gjallë e këtyre javëve: ishim vërtetë të bashkuar, këtu, si Familje e Hyjit”.
Papa nëvizoi se për temën “pajtim, drejtësi e paqe” u gjet drejtpeshimi i duhur, duke shmangur si rrezikun e politizimit, ashtu edhe atë të izolimit në përmasën shpirtërore. Tema – shtoi – na vuri para një sfide aspak të lehtë:
Kjo temë “Pajtim, drejtësi, paqe” përfshin, natyrisht, një përmasë të fuqishme politike, ndonëse duket qartë se pajtimi, drejtësia e paqja nuk mund të arrihen, pa pastrimin e thellë të zemrës, pa risimin e mendimit, pa një metànoia, pa një përtëritje, që duhet të jetë pikërisht rezultat i takimit me Zotin. Por ndonëse kjo përmasë shpirtërore është e thellë e themelore, edhe përmasa politike është shumë reale, sepse pa realizime politike, risitë e Shpirtit nuk realizohen përgjithësisht”.
Prandaj tundimi mund të ishte të politizohej tema, të flitej më pak si barinj e më shumë si politikanë, e kështu, me një kompetencë, që nuk është jona.
Rrezik tjetër – shpjegoi Ati i Shenjtë – ishte ai i tërheqjes në një botë pastërtisht shpirtërore, botë abstrakte dhe e bukur, por jo realiste:
“Fjalimi i bariut duhet të jetë realist, të prekë realitetin, por duke e parë me sytë e Zotit e të Fjalës së Tij: prej këndej, ky ndërmjetësim, nga njëra anë duhet të ketë lidhje të vërtetë me realitetin, të ketë në qendër të vëmendjes atë që ndodh, e nga ana tjetër, të mos bjerë në rrugëzgjidhje teknikisht politike: të flitej një fjalë konkrete, por shpirtërore, ishte problemi i madh i Sinodit; më duket se ia dolëm mbanesh, falë ndihmës së Zotit, e kjo më shtyn të shpreh mirënjohjen, sepse e lehtëson shumë edhe hartimin e dokumentit pas-sinodal”.
Sinodi – tha Papa – përfundon e nuk përfundon, e jo vetëm sepse punimet vijojnë me Nxitjen pas-Sinodale:
“Sinodos do të thotë të ecësh së bashku, e ne mbesim në ecjen e përbashkët me Zotin, shkojmë përpara me Zotin për t’ia përgatitur rrugët, për ta ndihmuar, për t’ia hapur portat e botës, që të mund të krijojë Mbretërinë e tij mes nesh”.







All the contents on this site are copyrighted ©.