Me 25 tetor, kalendari Kishtar përkujton Shenjtorët Krispinin e Krispinianin, martirë.
(25.10.2009 RV)Dy këpucarë, të lidhur ngushtë me punën e tyre: kështu paraqiten
Shën Krispini e Krispiniani në historinë e martirizimit të tyre. Prandaj prej shekujsh
në shumë vende të Evropës këpucarët i nderojnë si pajtorët e tyre: e me ta, edhe të
gjithë lëkurëpunuesit: saraçët, dorashkapunuesit, lëkurëregjësit. Kisha i kujton si
martirë të mbytur për shkak të fesë në Galinë romake e pikërisht në Augusta Suessionum.
Në
variantin e Okserrës të Martiriologut Jeronimian shenjtorët kujtohen më 25 tetor si
martirë të Suasons, ku në shekullin VI ekzistonte një bazilikë e ngritur në nderim
të tyre, për të cilën flet disa herë Gregori i Turit. Ndërsa në Gesta Regum Anglorum
të Gulielmit nga Malmesbëri për të njëjtët martirë shkruhet se u varrosën në bazilikën
e Shenjtorëve Gjoni e Pali mbi Çelio në Romë. Ky shënim konsiderohet si shtesë e mëvonshme,
që u përdor si dëshmi për të vërtetuar gjetjen e varreve të Shenjtorëve. Në historinë
e martirizimit të tyre, shkruar nga fundi i shekullit VIII, tregohet se dy shenjtorët,
me origjinë romake, shkuan në Gali së bashku me shumë romakë të tjerë në kohën e Dioklecianit
e, si u vendosën në Suasons, nisën të ushtronin zanatin e këpucarit, kryesisht për
të ndihmuar të varfërit. Duke qenë të krishterë, nisën menjëherë të predikonin fenë
e Krishtit. Sapo e mori vesh këtë, perandori Maksimian dërgoi Riziovarin t’i arrestonte
e pastaj, sa me premtime, aq me tortura, t’i detyronte të mohonin fenë. U provuan
mbi ta të gjitha mjetet, pa kurrfarë rezultati. Madje Riziovari, në kulmin e zemërimit,
duke humbur kontrollin, ra në zjarrin që kishte ndezur për ta e u dogj vetë. Për t’u
hakmarrë për ministrin e djegur, Maksimiani i dënoi edhe të dy shenjtorët me vdekje.
Trupat e tyre u mbartën nga dy pleq dhe u mbajtën të fshehur deri në përfundim të
persekutimit, kur u varrosen me nderime e mbi trupat e tyre u ngrit bazilika e Suasons.
Pavarësisht nga të dhënat e pakta e kontradiktore, nuk ka asnjë dyshim se
Krispini e Krispiniani janë martirë që flijuan jetën për Krishtin gjatë persekutimit
ushtarak në fund të shekullit III në Suasons, ku vijojnë të nderohen si shenjtorë
vendas e prej ku disa nga reliket e tyre u mbartën në Romë. Simboli i Martirëve këpucarë,
veç palmës, është edhe këpuca.