2009-10-24 13:55:59

Shërbëtorja e Zotit Marie Tuci, martire e regjimit komunist në Shqipëri në përvjetorin e vdekjes


(24.10.2009 RV)Duke shfletuar kalendarin historik përkujtojmë sot dëshmitaren e fesë e të kulturës, sikur dëshmon jeta, vepra dhe martirizimi i shërbëtores së Zotit, Marie Tucit, postullantes së Motrave Stigmatine, në përvjetorin e vdekjes në Shkodër me 24 shtator te vitit 1950.
Në jetën e saj të shkurtër, Marie Tuci ka transmetuar fuqinë e fesë në Zotin duke shndritur ndërgjegjet e tjerëve me besimin e patundur në Krishtin e Gjallë dhe me dashurinë për kulturën e jetës. Kujtojmë se Marie Tuci është e vetmja femër që gjendet deri më tani, në listën e 40 martirëve shqiptarë për të cilët në Shqipëri ka filluar prej vitesh procesi dioqezan i kanonizimit për lumturimin e tyre.
MARIJE TUCI
Lindi në Ndërfushaz (Rrëshen-Mirditë), më 12 mars 1928.
Shkollën e mesme e kreu tek Motrat Stigmatine në Shkodër.
U arrestua në Ndërfushaz më 10 gusht 1949.
Ishte shumë e bukur, e urtë dhe me fe të madhe. Kriminelët, hetuesit komunistë për të kënaqur instinktet e veta kafshërore, u munduan me të gjitha mënyrat, por vajza rezistoi heroikisht. Pastaj e përdhunuan në mënyrë barbare, sipas deklaratave të shoqeve të saj të burgosura me të.
“Të gjitha torturat e mundura i ushtruan mbi trupin tim”, sipas një letre që nuk arritën ta nxirrnin jashtë nga burgu; ndër të tjera e futën në një thes, lakuriq, bashkë me një mace!Vdiq në spitalin e burgut në Shkodër, më 24 shtator 1950.

Ajo së bashku me të vëllain u arrestuan bashke me te tjerë pas vrasjes se Bibes. Vuajtjet me te mëdha për Marian do te vinin nga shefi i sigurimit te Shkodrës për atë kohe, Hilmi Seiti i goditur nga bukuria e vajzës, tentoi te abuzoje me te, po ndeshi ne kundërshtimin e ashpër të Maries. Lirinë do e fitonte pikërisht atëherë kur kishte mbërritur dhe fundi i saj për shkak te torturave çnjerëzore. Kur nuk munden ta mposhtnin dot ne dinjitetin finsikërinë, dhe idealet e saj ata e futen në nje thes bashke me një mace duke e goditur vazhdimisht. Kur e nxirren prej andej, Maria nuk njihej. Dikush e kishte krahasuar me një larvë njerëzore. E dërgojnë në spitalin e Shkodrës ku dhe ndahet nga jeta me 24 shtator të vitit 1950. Një jetë e mbytur herët mes dhimbjesh dhe torturash pafund, po një jetë që pranoi martiziimin në mënyrë shembullore, heroike e me dinjitet në mbrojtje të dhuratës më të madh që pati nga Zoti, jetës, besimin në Krishtin dhe nderit. Ajo donte të behej murgeshë, t'i përkushtohej gjithë jetën Zotit e popullit të vet të dashur, Fesë e Atdheut, po nuk mundi, sepse jetoi në kohën me të egër të përbindëshit, komunizmit shqiptar të Enver Hoxhës.. Ishte koha e përndjekjes dhe orvatjet së shfarosjes së katolikëve shqiptarë, që përbente nje rrezik te vazhdueshëm për tiranin çnjerëzor Enver Hoxhën dhe pasuesit e tij. Ishte koha e tmerrshme që e lau tokën me gjakun e pafajshëm të martirëve të vet. E gjaku u tyre, si ai i Marie Tucit, u shndërrua në farën e gadhënjimit të së mirës mbi të keqën, të firtores së dashurisë mbi urrejtjen, të dritës mbi errësirën, të së vërtetës mbi gënjeshtrën.







All the contents on this site are copyrighted ©.