2009-10-24 14:50:43

Shenjtorët e Javës së ardhshme sipas kalendarit kishtar


(25.10.2009 RV)Më 25 tetor Kisha kremton të dielen e 30-të gjatë vitit Kishtar e po më 25 tetor, kalendari liturgjik përkujton edhe Shën Krispinin e Shën Gaudencin. Liturgjia e ditës na kujton se jeta është dhuratë nga Hyji e nuk na përket neve. Ne jemi vetëm mbarështues të saj, e kush ta ketë mbarështuar me urti, do të shpërblehet sipas planit të Zotit, që është burim i dritës, i gëzimit e i shëlbimit.
Të hënën me 26 tetor, kalendari kishtar do të përkujtojë Shën Dhimitrin, martir. Në festën e tij Kisha na kujton se Jezusi erdhi në botë për të sjellë paqen e njeriut, duke pajtuar mbarë njerëzimin me Hyjin. Përçarjet lindin nga mospajtimi me vetë misionin e Jezusit.
Të martën e ardhshme me 27 tetor, kalendari kishtar përkujton shën Evaristin papë dhe shën Frumencin, apostull i Etiopisë. Liturgjia e ditës na kujton se kush e kërkon Zotin, do të shikojë shëlbimin që vjen prej tij.
Të mërkurën me 28 tetor, sipas kalendarit kishtar do të kremtohet festa e Shenjtorëve Simoni e Juda Tadeu, Apostuj, zëri i të cilëve vijon të përhapet në mbarë botën, për t’u prirë popujve të rinj në rrugën e Ungjillit.
Të enjten e ardhshme me 29 tetor kalendari kishtar përkujton Shën Feliçianin, martir i Kartagjenës. Në këtë ditë liturgjia na kujton sa të mëdha janë veprat e Zotit e na fton t’i kundrojmë në jetën tonë të përditshme
Të premten që vjen me 30 tetor, kalendari kishtar do të përkujtojë festën e Shën Gjermanit, ipeshkëv i Kapuas. Liturgjia e ditës na kujton se vërtetë i lum është vetëm ai njeri që ecën në dritën e Zotit.
Të shtunën me 31 tetor, sipas kalendarit kishtar bie festa e Shën Alfons Rodriguez, rregulltar Jezuit. Liturgjia e ditës na kujton se Mbretëria e Zotit nuk i ngjet organizmave që rregullojnë jetën tonë tokësore. Mbretëria e Zotit është si fara e vogël e si tharmi që, ndonëse nuk duket, e tharm gjithë brumin. E tillë është edhe forca e dashurisë ndërmjet njerëzve.
 
Të dielën e ardhshme me 1 nëntor, Kisha katolike do të kremtojë Gjithë Shenjtorët. Festa e të Gjithë Shenjtorëve është festa e atyre që gëzojnë lumturinë Hyjnore në mbretërinë qiellore.







All the contents on this site are copyrighted ©.