2009-10-24 14:47:06

Mesazh i sekretarit të përgjithshëm Ban Ki Mun me rastin e Ditës së Kombeve të Bashkuara


(24.10.2009 RV)Bie sot Dita botërore kushtuar Kombeve të Bashkuara. Po ju propozojmë mesazhin e plotë të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun:

Në Ditën e Kombeve të Bashkuara dhe në çdo ditë tjetër të vitit, OKB-ja po punon për planetin, për punën, për ne të gjithë.
Ne dërgojmë ndihma humanitare më shumë se kushdo tjetër, edhe në vendet e vështira. Vaksinojmë 40 përqind të fëmijëve nëpër botë; ushqejmë më se 100 milionë vetë dhe ndihmojmë më se 30 milionë refugjatë, shumë prej të cilëve gra dhe fëmijë, që ikin nga luftrat dhe persekutimet. Si kurrë më parë po përdorim veprimtarët e paqes, kemi më shumë se 115 mijë. Vetëm vitin e fundit u kemi dhënë ndihmë për votime të paktën 50 vendeve. Krejt sistemi i Kombeve të Bashkuara është mobilizuar për t’u bërë ballë problemeve ekonomike globale dhe pakënaqësive që kanë sjellë me vete.
Njerëzit u drejtohen Kombeve të Bashkuara për të mposhtur urinë dhe varfërinë, për të ruajtur paqen, për të përhapur arsimin dhe për të mbrojtur të drejtat e njeriut në çdo skaj të planetit. Ne jemi për ta pika e referimit për ndalimin e përhapjes së armëve dhe të sëmundjeve vdekjeprurëse, për mbrojtjen e personave dhe të familjeve që janë viktima të fatkeqësive natyrore. E në dhjetor mbarë popujt do ta drejtojnë shikimin nga ne për nënshkrimin e një marrëveshjeje mbi ndryshimet klimatike, një marrëveshje që të jetë e përbotshme, e barabartë dhe ambicioze, që të na mbrojë të gjithëve dhe që të hapë rrugën drejt një ekonomie më të “gjelbër” dhe më të pranueshme.
Po përjetojmë një çast të jashtëzakonshëm të problemeve ndërkombëtare. Kriza të shumëfishta, – ushqimore, nafte, financiare, sëmundje si gripi – po godasin në të njëjtën kohë. Ndryshimet klimatike po shfaqen çdo ditë e më kërcënueshëm. Secila prej këtyre krizave dëshmon të vërtetën e shekullit XXI: jetojmë në një planet, në një shtëpi. Si njerëz, si kombe, si specie, o mbytemi së bashku, ose arrijmë të qëndrojmë në sipërfaqe, por së bashku.
Kombet e Bashkuara po bëjnë gjithçka munden për t’u bërë ballë këtyre problemeve të mëdha. Po krijojmë marrëdhënie të reja shumëpalëshe, që mund të na çojnë drejt rezultateve konkrete për të gjithë, veçanërisht për më nevojtarët. Në të njëjtën kohë, jam i ndërgjegjshëm, mjerisht, për rrugën e gjatë që duhet të bëjmë dhe për dallimin që ekziston ndërmjet fjalëve dhe veprave konkrete.
Në këtë Ditë të Kombeve të Bashkuara le të zotohemi për t’i dyfishuar përpjekjet tona në favor të atyre që vuajnë, që janë të paaftë e të pambrojtur. Le të bashkohemi sot më shumë se kurrë, të bashkohemi në qëllime dhe në vepra, në mënyrë që bota të jetë një vend më i sigurtë dhe më i mirë.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.