2009-10-24 14:45:35

Editorial i atë Federiko Lombardit: “Afrika: përtej Sinodit”


(25.10.2009 RV)RealAudioMP3 Përfundon nesër Sinodi i Ipeshkvijve për Afrikën. Pikërisht sfidave që ky sinod i vë përpara Kishës në Afrikë, drejtori ynë i përgjithshëm dhe zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi ua kushton komentin javor. Ta dëgjojmë:
“Pas tri javësh intensive, ipeshkvijtë e mbledhur në Romë kthehen në vendet e tyre. Me mesazhin e me serinë e propozimeve të miratuara nga etërit sinodalë kemi në dorë rezultate të përkohshme, në pritje të dokumentit përfundimtar të Papës, në muajt e ardhshëm. Rruga e Kishës në Afrikë hyn në një etapë të re.
Sinodi nuk deshi t’i diskutojë të gjitha problemet e Afrikës, megjithëse diskutoi shumë prej tyre. U përqëndrua në temën e tij kryesore: Kisha në shërbim të pajtimit, të drejtësisë e të paqes. Si të bëhemi vërtet forcë shpirtërore nxitëse e përparimit dhe e zhvillimit të gjithanshëm në paqe? Përmes ndërhyrjeve të etërve sinodalë, dolën në dritë shumë përvoja pozitive e të bukura, shpesh të ushqyera nga urtia tipike afrikane, e cila duhet ripropozuar e njohur, si mbështetje për shpresën. Sipas nesh, tani, nevoja më urgjente është kjo: të kalohet nga fjalët e konceptet e mëdha në përvojën konkrete të jetës, në historitë për t’u treguar e në këngët për t’u kënduar, që gëzimi i pajtimit, etja për drejtësi dhe festa e paqes të bëhen ndjenja të jetës së përditshme në të gjithë kontinentin.
E pastaj duhet edhe solidariteti i Kishës universale. Kryeipeshkvi i Kinshasës, Monsenguo na tha se rruga solidare me Afrikën ndërtohet duke kërkuar e vlerësuar jo aq burimet materiale të Afrikës, “lëndët e saj të para”, se sa “lëndën e saj gri”, trurin, pra mendjen e zemrat e banorëve. Në respektimin e dinjitetit, përgjegjësisë dhe protagonizmit të drejtë të afrikanëve. Pas Sinodit duhet të impenjohemi të punojmë të gjithë jo vetëm “për” Afrikën, por sidomos “me” Afrikën".







All the contents on this site are copyrighted ©.