2009-10-23 17:36:55

Priten mijëra vetë në Milano për Lumnimin e Don Njokit, atit të të gjymtuarve


(23.10.2009 RV)Priten 40 mijë vetë të dielën në Milano, ku në Sheshin e Katedrales do të shpallet i Lum Don Karlo Njoki, “ati i të gjymtuarve”. Ritin do ta kryesojë, si përfaqësues i Papës, kryeipeshkvi Anxhelo Amato, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve. Don Njoki shërbeu gjatë Luftës II Botërore si kapelan i alpinëve. Në përfundim të luftës mblodhi rreth vetes jetimët dhe fëmijët e gjymtuar. Na flet për të postulatori i çështjes së lumnimit, imzot Enio Apeçiti:
Ky prift ka qenë një meshtar entuziast, në një epokë kur dramat, vuajtjet dhe shqetësimet ishin të shumta e kur ishte më i lehtë çkurajimi e ankimi. Më ka bërë gjithnjë përshtypje entuziazmi i tij, besimi i tij te koha, te bota. Thoshte: “Nëse do të lindja njëmijë herë e nëse do të kisha mundësi ta zgjidhja shekullin ku të lindja, pa hezitim do të zgjidhja vitet ‘900, sepse është shekulli i përmasave të mëdha, i debateve të mëdha, por edhe i guximit të madh”. Ka qenë një person që e jetonte thellësisht atë që thoshte, sipas fesë së tij të patundur.







All the contents on this site are copyrighted ©.