2009-10-23 18:43:32

Në Paris përurohet Akademia e re katolike e Francës.


(23.10.2010 RV)Me një bisedë kushtuar “Zotit, kohës e jetës”, u përurua sot në Paris “Akademia e re katolike e Francës”, institucion laikësh e klerikësh, të cilët i bashkon një objektiv i vetëm: ta bëjnë më të dukshëm mendimin katolik.
Në bisedën përuruese, foli edhe kryeipeshkvi i Parisit, kardinali André Vingt-Trois.
Selia e Akademisë është në Collèges des Bernardins, pikërisht atje ku, më 12 shtator 2008, Benedikti XVI i drejtoi botës franceze të kulturës, fjalimin e tij historik. Po cilat janë qëllimet e këtij institucioni të ri? Përgjigjet, në mikrofonin tonë, zëvendës-kryetari i Akademisë, Atë Jean-Robert Armogathe, i kryedioqezës së Parisit:
 
Përgjigje: - Akademia katolike e Francës do të krijojë kushte që të dëgjohet më mirë zëri i laikëve e i klerit, i njerëzve që kryejnë funksione të ndryshme. Rëndësi të veçantë ka zëri i specialistëve, që pranojnë hapazi se i përkasin katolicizmit: kjo duhet të krijojë mundësitë – të paktën shpresoj – që të jepet një mesazh më i qartë, i cili nuk ngatërrohet me paragjykime e i pranon deklaratat e Konferencës Ipeshkvnore të Francës, kur shprehet në emër të Kishës. Viti 2009 ishte i ngarkuar me trazira, prandaj zëri i Kishës u zbeh nga një sërë ngjarjesh, edhe për faj të komunikimit. Ky i fundit nuk i shikoi problemet në thellësi, por mbeti i lidhur me një mënyrë të caktuar të përceptimit të Kishës.

Pyetje: - A propozon Akademia ndonjë veprimtari kundër shkristianizmit të Francës?
 Përgjigje: - Sot panorama ideologjike franceze është tejet e ngatërruar, asgjë s’është më e qartë. Në rrjedhë vitesh kemi parë luftën e klasave, marksizmin... Kemi një president republike të zgjedhur nga e djathta, me ministra nga e majta, që e denoncojnë shtetin liberal; kemi laicitet me hoxhë formatistë, me shpenzimet e shtetit; kemi një debat për bioetikën, për mjekësinë... e në mes gjithë këtij pështjellimi, mendimi katolik, që duket si i varrosur nën këtë magmë... Jetojmë, pra, në një shoqëri e cila, për shumë arsye, i ka humbur pikat e mbështetjes, duke nisur nga familja. Më duket, prandaj, se ka ardhur koha t’i rilidhim fijet: ndjehet nevoja për një mesazh të përbashkët e të qartë.







All the contents on this site are copyrighted ©.