2009-10-23 17:36:18

Mesazhi përfundimtar i Sinodit: “Afrikë, çohu e ec!”.


(23.10.2009 RV)RealAudioMP3 Një duartrokitje e stuhishme: kështu e priti Sinodi i Ipeshkvijve për Afrikën, sot paradite, Mesazhin përfundmitar të Asamblesë. Në praninë e Benediktit XVI Sesioni i përgjithshëm ndoqi leximin e Dokumentit në katër gjuhë: anglisht, portugalisht, frëngjisht e italisht.

“Afrikë, ngreju e ec!” – është thirrja e fuqishme e Mesazhit përfundimtar të Sinodit. Nuk duhet humbur kohë – thonë Etërit Sinodalë – Afrika duhet të ndryshojë e të mos braktiset në dëshpërimin e saj.
Dokumenti ndahet në shtatë pjesë, paraprirë nga hyrja e pasuar nga mbyllja. Përmban një mori thirrjesh. U bën thirrje meshtarëve, që të jenë besnikë në çelibat, në pastërti e në shkëputjen nga të mirat materiale. I fton besimtarët laikë të jenë ambasadorë të Zotit, që feja e krishterë të depërtojë në të gjitha skutat e jetës së tyre, duke u kujtuar se duhet ta thellojnë vazhdimisht formimin e duke vënë theksin edhe në domosdoshmërinë e themelimit të Universiteteve katolike.
Një thirrje e fuqishme i drejtohet edhe botës politike: Afrika ka nevojë për politikanë të shenjtë, që i kundërvihen me të gjitha forcat korrupsionit e që përpiqen për të mirën e përbashkët. Ata që besojnë me të vërtertë, duhet të ecin në rrugën e Ungjillit, ose të largohen nga skena politike, për të mos dëmtuar popullsinë dhe besueshmërinë e Kishës katolike.
Mesazhi u drejtohet, pastaj, familjeve katolike, duke i ftuar të ruhen nga ideologjitë e ashtuquajtura ‘moderne’ e duke u kërkuar qeverive t’i ndihmojnë në luftën kundër varfërisë, sepse një komb që shkatërron familjen, i bie ndesh interesave të veta.
Etërit Sinodalë flasin edhe për gratë e burrat katolikë: të parat i quajnë ‘shtyllë kurrizore’ të Kishave vendase. Për ta kërkohet më shumë promovim e ftohen të mos bien pré e ideologjive të huaja ‘helmuese’, sidomos përsa i përket seksualitetit. Mesazhi u kujton edhe burrave katolikë se duhet të jenë bashkëshortë besnikë e etër të kujdesshëm, ta mbrojnë jetën që nga zënia e të merren me edukimin e fëmijëve.
E akoma, duke iu drejtuar bashkësisë ndërkombëtare, kërkohet që Afrika të trajtohet me respekt e dinjitet; të ndryshojnë rregullat e lojës ekonomike e të borxhit të jashtëm afrikan, t’i jepet fund shfrytëzimit të sipërmarrjeve shumëkombëshe, që shkatërron një pjesë të mirë të pasurive natyrore të Afrikës e të mos fshihen, pas ndihmave, qëllime të tjera, që dëmtojnë rëndë interesat e afrikanëve.
Më pas Mesazhi ndalohet tek Sida: Kisha – nënvizohet – është në radhët e para të luftës kundër virusit Hiv e të kujdesit për të sëmurët. Në përkim me Benediktin XVI, i cili quhet “mik i vërtetë i Afrikës dhe i afrikanëve”, Etërit sinodalë ripohojnë se çështja nuk mund të zgjidhet duke shpërndarë profilaktikë e nënvizojnë suksesin e arritur përmes rrugës së pastërtisë e të besnikërisë.
Nuk harrohet, në dokument, edhe dialogu ekumenik, ndërfetar dhe ai me fetë tradicionale: dialogu është i mundshëm – theksohet – por ka rëndësi t’i themi ‘jo’ fanatizmit, të sigurojmë respektin reciprok e të nënvizojmë se liria fetare është e drejtë themelore, e cila përfshin edhe lirinë për ta propozuar, jo për ta imponuar, fenë tënde.
Ndërmjet temave më të theksuara, ajo e Sakramentit të Rrëfimit dhe e programeve dioqezane për paqen, lufta kundër hakmarrjes, fuqizimi i lidhjeve me Kishat e lashta të Etiopisë e të Egjiptit e me Kontinentet e tjera, falënderimi i misionarëve të huaj dhe nevoja për të mbështeur emigrantët e refugjtatët në botë, duke e shikuar mikpritjen si detyrë e çdo të krishteri.
Së fundi, nxitja për ta ndihmuar Secam (Simpoziumin e Konferencave ipeshkvnore të Afrikës e të Madagaskarit), që sapo mbushi 40-vjet veprimtarie e për të shumëfishuar përpjekjet në forcimin e komunikimit shoqëror.

Mbi përmbajtjen e Mesazhit, të ndjekim intervistën e imzot Xhon Olorunfemi Onaijekan, Kryetar i Komisionit të ngarkuar për hartimin e tekstit:

Përgjigje: - Pika qëndrore është se nuk mund të pranojmë që gjendja në Afrikë të vijojë kështu. Gjithë kjo histori luftash, konfliktesh, sëmundjesh, duhet të ndryshojë. Së dyti, ekzistojnë të gjitha mundësitë për këtë ndryshim. Por që të realizohet në jetë, duhet të shpërvjelin mëngët të gjithë, duke nisur nga vetvetja, nga Kisha, nga mënyra si i drejtojmë dioqezet. Vjen, pastaj, edhe përgjegjësia e prijësve politikë të vendeve tona: nuk mund të përsërisim pa fund se kemi vuajtur nga skllavëria, se jemi shtypur nga kolonializmi. Vërtetë kemi vuajtur e jemi shtypur, por kanë kaluar 50-vjet e nuk janë pak për t’i kapërcyer këto pengesa. Shumë krerë shtetesh afrikane, që fituan përvojën e udhëheqjes së vendit nga një parti e vetme, kanë shprehur mendimin se kjo mund të ishte mënyra afrikane për ta mbajtur në këmbë vendin. Po tani jemi në vitin 2009 e kemi mësuar se kjo rrugë nuk funksionon. Kjo do të thotë se duhet të pranojmë sistemin demokratik shumëpartiak. Ka vende ku ka demokraci shumëpartiake vetëm për emër. Por duhet pasur mirë parasysh se kur demokracia nuk është e sinqertë, nuk mund të ecet përpara. Pa folur këtu edhe për ndërhyrjet e huaja në punët e brendshme.

Pyetje: - Ju mendoni se duhet të niseni nga Afrika, domethënë nga puna në vetë gjirin e Afrikës?

Përgjigje: - Anglezët thonë: “charity begins at home”, dashuria nis në shtëpinë tënde. Ky është mesazhi, që i drejtohet në radhë të parë Afrikës e të gjithë sektorëve të bashkësisë afrikane, duke nisur nga ajo kishtare, për të vijuar me atë shoqëroro-politike, që të mund të punojmë më mirë se po punojmë.

Pyetje: - E në se do të na duhej të bënim një bilanc për këtë Sinod kushtuar Afrikës?

Përgjigje: - Ndoshta bilancin duhet ta bëjnë ata, që do të studiojnë punën tonë në Sinod. Personalisht them se punuam shumë e besoj se bëmë punë të mirë, por nuk më takon mua ta korrigjoj punën time. Këtë do ta bëjë tjetërkush!

Pyetje: - A pati risi, në krahasim me Sinodin I kushtuar Afrikës?

Përgjigje: - Po, besoj, për shembull, i ri ishte aspekti i dialogut me Islamin. Qemë të gjithë më energjikë, posaçërisht përsa u përket vendeve ku nuk respektohet liria fetare e ku një gjendje e tillë pranohet si normale. Theksuam se kjo nuk është e drejtë e se duhet të ndryshojë. Nuk e dimë në se do të ndryshojë vërtetë, por e dimë se kur të shikojmë ç’do të ndodhë, posaçërisht në vendet e Magrebit, e edhe në Egjipt, atëhere do ta marrim vesh në se e kanë dëgjuar mesazhin tonë.







All the contents on this site are copyrighted ©.