2009-10-23 17:36:32

Imzot Miliore në OKB: të respektohen, pa vonesë e pa kërkuar falje, impenjimet për zhvillimin.


(23.10.2009 RV)RealAudioMP3 “Papunësia në vendet e industrializuara, gjatë 12 muajve të fundit, është rritur aq, sa të krahasohet me nivelin e viteve ‘30”. Këtë kujtoi imzot Çelestino Miliore, vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë OKB-së, duke folur në sesionin e 64-t të Asamblesë së përgjithshme, në kuadrin e diskutimit për çrrënjosjen e varfërisë dhe çështje të tjera, që kanë të bëjnë me zhvillimin.
Thuhet se kriza është kapërcyer: po sa është e vërtetë kjo për ata që humbën punën? Prandaj mund të themi se kriza vijon të peshojë rëndë mbi kurrizim e shoqërisë e të njeriut - theksoi prelati. E ndërsa përshëndeti fillimin e rimëkëmbjes së ekonomisë në nivel global, imzot Miliore kujtoi thellimin e mëtejshëm të varfërisë, në një botë ku mjerimi është prej kohe i padurueshëm. E kjo, edhe sepse rimëkëmbja është tejet e ngadalshme e nuk na siguron fare se nuk do të ketë ngadalësime e pasoja të tjera. Duke analizuar dhjetë vjetët e fundit, imzot Miliore denoncoi se ndihma për zhvillim filloi të dobësohej që para se të ndjehej kriza ekonomike e se, që para krizës, nisi të vërehej mungesa e solidaritetit dhe e përgjegjësisë për pasojat me afat të gjatë të masave ekonomike.
Pika qëndrore e fjalimit të imzot Miliores ishte: “Impenjimet në planin ndërkombëtar për zhvillimin, duhen respektuar pa vonesa e pa kërkuar gjithnjë falje”. Duhen çrrënjosur shkaqet kryesore e strukturore të varfërisë. Për ta mbështetur këtë mendim, prelati citoi deklarata të ndryshme, ndërmjet të cilave, atë të Kopenhagenit, më 1995; të G8, më 2005 e edhe të G20 të Londrës, marsin e kaluar. Vetëm një investim për të gjithë burrat e gratë, duke u nisur nga krijimi i mundësive sa më të plota për shkollim, mund të sigurojë qëndrueshmërinë e nevojshme ekonomike e politike në shërbim të së mirës së përbashkët. Nuk mund të mjaftojë – shtoi imzot Miliore – rigjallërimi i ekonomisë globale ose krijimi i rregullave të reja e i kontrolleve të reja, që e ruajnë ekonominë nga tronditjet e mëdha në sektorin financiar. Në radhë të parë – shpjegoi imzot Miliore – sot, më shumë se kurrë, është e nevojshme të punohet për ndryshimin e mënyrës së drejtimit të ekonomisë ndërkombëtare.







All the contents on this site are copyrighted ©.