2009-10-21 17:20:07

Kardinali Kanizares i dorëzon Papës një kopje të ‘‘Compendium Eucharisticum’.


(21.10.2009 RV)RealAudioMP3 Sot, në përfundim të audiencës së përgjithshme, kardinali Antonio Kanizares Llovera, prefekt i Kongregatës për Kultin hyjnor dhe Disiplinën e sakramenteve, i dorëzoi Benediktit XVI një kopje të ‘Compendium Eucharisticum’, që doli më 19 tetor nga Shtëpia Botuese e Vatikanit. Për botimin e kësaj ‘Përmbledhjeje’ pati folur vetë Papa në Këshillimin (Nxitjen) apostolik pas-sinodal “Sacramentum Caritatis’, botuar në shkurt të vitit 2007, në përfundim të Asamblesë së përgjithshme të zakonshme të Sinodit të Ipeshkvijve, mbajtur në Romë në vitin 2005 me temën e Eukaristisë. Në këtë dokument, Papa shpjegonte se duke pranuar kërkesën e përsëritur të Etërve sinodalë, do të botohej – nën kujdesin e dikastereve kompetente - një ‘Përmbledhje për Eukaristinë’. Libri – shkruante Papa – “do të përmbledhë tekstet e Katekizmit të Kishës Katolike, uratë, shpjegime të Lutjeve Eukaristike të Mesharit e gjithçka tjetër, që mund të jetë e dobishme për ta kuptuar, për ta kremtuar e për ta adhuruar si duhet Sakramentin e elterit. Botimi i ‘Compendium’ – shpjegonte Benedikti XVI – i përgjigjet kërkesës së Etërve Sinodalë ‘për të ndihmuar popullin e krishterë ta besojë, ta kremtojë e ta jetojë gjithnjë më mirë Misterin Eukaristik”.
Në ‘Sacramentum Caritatis’, Papa uronte edhe që ‘Compendium’ të ndihmonte për ta bërë çdo ditë e më tepër kujtimin e Pashkëve të Zotit, burim e kulm i jetës e i misionit të Kishës. E kjo – përfundonte Ati i Shenjtë – do t’i nxisë të gjithë besimtarët ta bëjnë jetën e tyre kult të vërtetë shpirtëror.







All the contents on this site are copyrighted ©.