2009-10-21 14:12:56

Depozitohet aktakuza përfundimtare kundër gjeneralit serb Karaxhiq. Procesi fillon të hënën.


(21.10.2009 RV)Aktakuza përfundimtare kundër ish-gjeneralit serb Radovan Karaxhiq u depozitua dje në Gjykatën ndërkombëtare të Hagës. Procesi i tij do të fillojë të hënën e ardhshme.
Sipas akuzës, Karaxhiqi, 64 vjeç, ka qenë një nga protagonistët kryesorë të largimit të myslimanëve dhe të kroatëve, që jetonin në zonat e pushtuara nga serbët, gjatë luftës 1992-1995 në Bosnjë-Hercegovinë. Dokumenti analizon hollësisht dy genocidet që i atribuohen Karaxhiqit, atë të muajve të parë të luftës dhe masakrën e 8 mijë vetëve në Srebrenicë në korrik të vitit 1995, pak muaj para fundit të luftës. Ish-gjenerali serb akuzohet edhe për krime kundër njerëzimit e për krime lufte për të gjitha vrasjet, përdhunimet, largimet me forcë, torturat e bëra në 19 komuna e gjatë rrethimit të Sarajevës. Aktakuza e cilëson si krim lufte marrjen peng të rreth 200 helmetkaltërve dhe vëzhguesve të OKB-së në vitin 1995.
Versioni i saj fillestar parashikonte krime në 47 komuna, por dokumenti është rishqyrtuar disa herë. “Duam një proces që të pasqyrojë masën e krimeve të kryera, që t’u lejojë viktimave të tregojnë historitë e tyre, por që të mund edhe të administrohet më së miri”, shpjegon prokurori i Gjykatës së Hagës, belgu Serxh Bramerc, në një intervistë të botuar në gazetën “Le Soir”. Sipas tij, versioni aktual i aktakuzës është i pranueshëm. Procesi do të zgjasë nga dy vjet e gjysëm në tre. Do të merren në pyetje mëse 400 dëshmitarë, ndërsa Karaxhiqi do të mbrohet vetë. Gjykatësi do të jetë O-Gon Kuon.








All the contents on this site are copyrighted ©.