2009-10-20 16:31:18

Një ipeshkëv i Burundit kërkon Konferencë Ndërkombëtare për paqen dhe pajtimin në rajonin e Liqeneve të Mëdha


(20.10.2009 RV)RealAudioMP3 Sot paradite pra, etërit sinodalë bënë thirrje për ndalimin e dhunës në rajonin e Liqeneve të Mëdha. Zona, e cila përfshin Ruandën, Burundin, Ugandën dhe një pjesë të Republikës Demokratike të Kongos, të Tanzanisë e të Kenias, është bërë në dhjetëvjeçarët e fundit, skenar luftrash civile, që kanë shkaktuar varfëri të skajshme. Sinodi duartrokiti propozimin për një Konferencë Ndërkombëtare për paqen e pajtimin në rajon. Është propozim i ipeshkvit të Mujingës në Burundi, imzot Joakim Ntahondereje, në mikrofonin tonë:
Është një ngjarje që duhet të përfshijë të gjitha Konferencat Ipeshkvnore të zonës. Do të kemi edhe patronazhin e rrjetit katolik për arritjen e paqes, që e ka bazën në Amerikë. Na kanë siguruar se do të na mbështesin. Duhet të bëjmë ç’është e mundur, që kur të kërkojmë ndihmë, të tjerët të na e japin me gjithë zemër. Është bërë shumë në kombe të ndryshme, por të tjerët nuk e dinë. Prandaj, është e rëndësishme të takohemi për të shkëmbyer informacionin, por sidomos për të ngritur një strukturë për koordinimin e veprimtarisë. Ka ndryshime, por ka edhe faktorë të përbashkët për të gjitha kombet e zonës, që duhen mbajtur parasysh në rrugën drejt paqes.
Nga rajoni i Liqeneve të Mëdha vijnë shpesh lajme për dhunë, varfëri, luftë e madje edhe vështirësi serioze për jetën e Kishës…
Kjo është e vërtetë, vështirësitë janë. Kisha është e impenjuar në nivelin e çdo kombi, por edhe në nivel rajonal. Dhuna ushtrohet edhe kundër të krishterëve e sipas meje, duan t’ia mbyllin gojën institucionit. Fatkeqësisht, ka shumë grupe që nuk e pranojnë punën e Kishës, sidomos kur denoncon akte padrejtësie e dhune.







All the contents on this site are copyrighted ©.