2009-10-19 17:41:57

Sinodi për Afrikën: Kontinenti shfrytëzohet nga shumëkombëshet. Imzot Eteroviç: të mbështetemi tek gratë.


(19.10.2009 RV)RealAudioMP3 Punimet e Sinodit për Afrikën vijojnë me dyer të mbyllura. Sot, sipas programit, referuesi i përgjithshëm, sekretari i posaçëm dhe referuesit e grupeve të vogla punuan për unifikimin e propozimeve.
Ndërmjet temave të shumta, është ai i pasurive të çmuara të Kontinentit afrikan, deri tani të shfrytëzuara shumë shpesh në dobi të interesave jo afrikane.Këtë koncept, ripohuar shumë herë në Sallën e Sinodit, e kujtoi edhe imzot Gjuzepe Franceli, ipeshkëv i Lirës, në Ugandë:

 
Përgjigje: - Ka një prani njerëzish, që vijon të vijë nga jashtë thjesht për ta shfrytëzuar Afrikën e, natyrisht, gjen edhe bashkëfajtorë, prandaj ai që në fund të fundit humbet e lë lëkurën, është gjithnjë populli, janë njerëzit e thjeshtë. Prej këndej vjen pasuria e elitës lokale e varfëria e tejskajshme e shumicës së vendasve. Për këtë ka folur shumë herë Papa, por duhet të flasin edhe të tjerët, të flasin më shumë, si për pasuritë materiale, ashtu edhe për ato shpirtërore, të Kontinetit.

 
Por në ç’rrugë duhet ecur, për t’i dhënë shpresa Afrikës? Përgjigjet, në mikrofonin e Radio Vatikanit, imzot Nikola Eteroviç, sekretar i përgjithshëm i Sinodit të Ipeshkvijve:

Përgjigje: - Në radhë të parë duhet rinisur rruga e përhapjes së Lajmit të Mirë, që pati një fazë tejet të rëndësishme në Sinodin I afrikan, 15 vjet më parë. Duhet rifilluar rruga, duke pasur parasysh situatat e sotme fetare, kulturore e politike. Mund të flitet për një ungjillëzim të ri të Kontinetit, në rrethanat aktuale. Duhet pasur parasysh se Kisha vë theksin mbi rolin e laikëve në Afrikë, posaçërisht mbi rolin e grave, të cilat shpesh janë vetëm viktima. Roli i tyre është i pazëvendësueshëm e Kisha, plotësisht e vetëdijshme për këtë, shpreson shumë tek ndihma e grave në zhvillimin gjithanshëm të Afrikës. E kjo, sepse është vërejtur se gruaja ka aftësi të madhe për t’i pajtuar njerëzit, edhe atje ku burrat dështojnë!







All the contents on this site are copyrighted ©.