Papa në Engjëllin e Tënzot, në Ditën Misionare Botërore, theksoi se Kisha duhet t’ia
kumtojë Ungjillin mbarë njerëzimit.
(19.10.2009 RV)Kisha është e thirrur
t’ia kumtojë shpresën ungjillore mbarë njerëzimit: dje, në sa kremtohej Dita Misionare
Botërore, Benedikti XVI nënvizoi se çdo i krishterë e ka për detyrë t’ua kumtojë
Ungjillin të gjithëve, posaçërisht atyre, që nuk e njohin ende. Më pas Ati i Shenjtë
kujtoi edhe misionarët, që e shkrijnë jetën mes njerëzve më të vuajtur e më të braktisur
të shoqërisë njerëzore, në të katër anët e botës; e, në mënyrë të posaçme, don Ruxhero
Ruvoleto-n, vrarë në Brazil dhe atë Majkëll Sinot, rrëmbyer në Filipine. Papa kujtoi
temën e zgjedhur për Ditën Misionare Botërore, shkëputur nga Libri i Zbulesës: “Kombet
do të ecin në dritën e Tij”. Kjo dritë – nënvizoi – është drita e Zotit, që u
zbulua nga Mesia e pasqyrohet në fytyrën e Kishës. “Është drita e Ungjillit,
që orienton hapat e popujve e u prin drejt realizimit të një familjeje të madhe,
në drejtësi e paqe, nën atësinë e një Zoti të vetëm, të mirë e të mëshirshëm. Prandaj
është Kisha, për t’ia kumtuar këtë lajm shprese mbarë njerëzimit, i cili në kohët
tona ka arritur fitore mahnitëse, por duket se e ka humbur kuptimin e realiteteve
të fundme e të vetë ekzistencës (Gjon Pali II, Enc. Redemptoris Missio,
2)”. Kështu Papa deshi të kujtonte misionarët e misionaret, priftërinjtë e
rregulltarët, rregulltaret e laikët vullnetarë, që ia kushtojnë gjithë jetën përhapjes
së Ungjillit në të katër anët e botës, duke përballuar vuajtje e vështirësi, madje
nganjëherë edhe persekutime të mirëfillta: “Mendoj ndërmjet tjerëve
– tha Papa - për don Ruxhero Ruvoleton, meshtar fidei donum, vrarë kohët
e fundit në Brazil e për atë Majkëll Sinot, rregulltar i rrëmbyer pak ditë më parë
në Filipine. E nuk mund të mos mendoj edhe për atë që po dëgjojmë në Sinodin e Ipeshkvijve
për Afrikën, për flijimet më të mëdha e për dashurinë më të thellë ndaj Krishtit e
Kishës së tij. I falënderoj Veprat Misionare për shërbimin e çmuar që i japin gjallërimit
dhe formimit për jetën misionare”. Prej këndej, ftesa e Papës drejtuar
mbarë të krishterëve për t’u dhënë ndihmesën e tyre materiale e shpirtërore Kishave
të reja të vendeve më të varfëra. E udhëhequr nga Shpirti Shenjt – vijoi të shpjegonte
Papa – Kisha e di se është e thirrur të vijojë veprën e vetë Krishtit, duke kumtuar
Ungjillin dhe Mbretërinë e Hyjit: “Kjo mbretëri është tashmë e pranishme
në botë si forcë dashurie, lirie, solidariteti, respekti për dinjitetin e njeriut;
e bashkësia kishtare e ndjen thellë në zemër sa është urgjente të punohet, që sovraniteti
i Krishtit të realizohet plotësisht. Të gjitha gjymtyrët e saj duhet të bashkëpunojnë
për këtë projekt, sipas gjendjeve të ndryshme të jetës e karizmave të ndryshme”. Dita
Misionare Botërore – pohoi Ati i Shenjtë – tingëllon si thirrje e fuqishme për t’u
impenjuar, që Ungjilli t’u kumtohet të gjithëve, posaçërisht atyre që nuk e njohin
akoma. Papa kujtoi, më pas, se dje kremtohej edhe festa e Shën Lukës Ungjilltar
i cili, përveç Ungjillit, shkroi edhe Veprat e Apostujve, për të dëshmuar përhapjen
e mesazhit të krishterë deri në kufijtë më të largët të botës, që njihej asokohe: “Të
kërkojmë ndërmjetësimin e tij, njëherësh me atë të Shën Françesk Saverit e të Shën
Terezës së Krishtit Fëmijë, pajtorë të misioneve, e sidomos ndërmjetësimin e Virgjërës
Mari, që Kisha ta vijojë veprimtarinë për përhapjen e dritës së Krishtit në gjirin
e mbarë popujve. Ju kërkoj të luteni për Asamblenë e Posaçme të Sinodit të Ipeshkvijve
për Afrikën, që vijon këto javë në Vatikan”. Në çastin e përshëndetjeve
drejtuar shtegtarëve, duke u folur besimtarëve të gjuhës italiane, Papa iu drejtua
në mënyrë të posaçme Klerikëve Rregulltarë të Nënës së Zotit, që kremtuan 400-vjetorin
e vdekjes së themeluesit të tyre, Shën Gjon Leonardit. Me ta përshëndeti edhe nxënësit
e të gjitha Kolegjeve të Propaganda Fides, shoqëruar nga kardinali Ivan Dias, prefekt
i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve, si dhe farmacistët, që e kanë Pajtor Shën
Gjon Leonardin. Papa i nxiti ta ndjekin pas në rrugën e shenjtërisë e t’i përngjasin
në zellin misionar.Përshëndeti edhe ‘Bashkësitë e Çenakullit”, që ndihmojnë prej kohe
të rinjtë e rënë në kurthin e drogës, për të rigjetur rrugën e jetës, duke u takuar
me Jezu Krishtin. Së fundi, përshëndetja drejtuar pjesëmarrësve në një takim, kushtuar
Motu proprios ‘Summorum Pontificum, mbajtur këto ditë në Romë.