Në Afrikë ka më shumë se 11 milion refugjatë lufte
(19.10.2009 RV)Në Afrikë, së paku 11 milion e 600 mijë vetë kanë mbetur pa
shtëpi për shkak të konflikteve të armatosura. Lajmi u dha nga Komisariati i Lartë
i OKB-së për Refugjatët, pikërisht kur sot, në kryeqytetin e Ugandës, Kampala, po
zhvillohet takimi mbi refugjatët e Bashkimit Afrikan. Agjencia e Kombeve të Bashkuara
nënvizon se Afrika është kontinenti me më shumë luftra, prandaj ka edhe më shumë lëvizje
njerëzish. Numri i refugjatëve është ulur pak gjatë viteve të fundit, por është rritur
numri i personave, që detyrohen të ikin nga shtëpitë për shkak të luftës. Kështu,
rriten refugjatët e brendshëm, të cilët shpesh strehohen në kampe, ku mungojnë ushqimi
e uji dhe ku kushtet higjieniko-sanitare janë të këqia. Edhe në raportin e fundit
të organizatës “Oxfam International” denoncohet gjendja e vështirë e refugjatëve brenda,
por sidomos jashtë vendit, si për shembull, ajo e refugjatëve somalë në vendet fqinjë,
Kenia dhe Etiopi. Sipas raportit, qindra mijëra fëmijë të sëmurë janë braktisur në
fatin e tyre, ndërsa funksionarët keniotë pretendojnë se po bëhet ç’është e mundur
për gjetjen e një zgjidhjeje.