2009-10-19 16:21:41

Gjashtë vjetori i lumturimit të Nënë Terezës në Vatikan


(19.10.2009 RV)Sot me 19 tetor shënojmë përvjetorin e gjashtë të lumturimit të Nënës sonë Terezë, Gonxhe Bojaxhiut në Vatikan nga Papa Gjon Pali II.19 tetor 2003 – 19 tetor 2009: kaluan pra gjashtë vjet nga dita e shpalljes të Lume të Nënë Terezës, bijës, motrës e nënës më të madhe të popullit shqiptar, që na la trashëgim këtë autoportret:
"Me gjak jam shqiptare; me nënshtetësi, indiane. Përsa i përket besimit, jam murgeshë katolike. Sipas thirrjes, i përkas botës. Por zemra ime i përket plotësisht Zemrës së Krishtit". M’u besua misioni të kumtoj dashurinë e etur të Jezusit për njerëzimin, veçanërisht për më të varfërit ndër të varfër, mesazhin se "Hyji vijon ta dojë botën dhe na dërgon ty e mua për t'u shprehur të varfërve dashurinë dhe mëshirën e Tij". Në shpirtin tim, përplot me dritën e Krishtit e me dashuri të zjarrtë për Të, kishte një dëshirë të vetme : "Të shuaja etjen e dashurisë së Tij për shpirtrat njerëzore".
Nuk na çuditë, prandaj, fakti se, për shkak të përhapjes së famës së shenjtërisë dhe hireve të nxjerra nga Zoti me ndërmjetësinë e Nënë Terezës, Papa Gjon Pali II lejoi të hapej çështja e kanonizimit ende pa u mbushur ende dy vjet pas vdekjes së Rregulltares shqiptare. Më 20 dhjetor 2002 Gjon Pali II miratoi dekretin mbi virtytet heroike dhe mrekullitë e bëra me ndërmjetësinë e saj, ndërsa datën më 19 tetor 2003, gjashtë vjet më parë, nga Sheshi i Shën Pjetrit në Vatikan përplot me shqiptarë të ardhur nga të katër anët e botës, së bashku me qindra mijëra shtegtarë të ardhur nga mbarë bota, Papa Gjon Pali II e shqiptoi formulën kanonike të Kishës që e lartonte Nënën e Madhe të të varfërve të mbarë botës, në nderimet e elterit:
Ja FORMULA E LUMTURIMIT shqiptuar nga Papa Gjon Pali II atë ditë të paharrueshme: RealAudioMP3
Ne, duke përmbushur dëshirën e Vëllait tonë Lukas Sirkar, Kryeipeshkëv i Kalkutës, si dhe të shumë vëllezërve të tjerë në Episkopat e edhe të shumë besimtarëve, pasi kemi marrë mendimin e Kongregatës për Çështjet e Shenjtërve, me Autoritetin Tonë Apostolik pranojmë që Shërbëtorja e nderuar e Hyjit, Tereza e Kalkutës, tani e tutje të quhet "E Lume" e që festa e saj të kremtohet në vendet e sipas rregullave të caktuara nga e drejta kanonike, çdo vit, në ditën e lindjes së saj për qiell, më 5 shtator.

Sot me 19 tetor, pra, nuk është festa liturgjike kishtare e së Lumes Nënë Terezë, por Festa Kombëtare e Saj, sepse kjo ditë, me të drejtë, u shpall festa e të gjithë shqiptarëve, për të cilët Nënë Tereza tani ndërmjetëson nga qielli, ndërsa vijon të na kujtojë se:
“Jezusi erdhi të na sjellë Lajmin e Mirë se Zoti na do e se ne duhet ta duam njëri-tjetrin, ashti Ai na do ne. Për këtë pati thënë: Çdo gjë që e bëni për nevojtarët e keni bërë për mua. ‘Nëse keni dhënë një gotë ujë në emrin tim, ma keni dhënë mua. Nëse keni mirëpritur një fëmijë në emrin tim, më keni pritur mua’. E kur të vdesim e të kthehemi tek shtëpia e Zotit, sërish do të dëgjojmë Jezusin që thotë: ‘Ejani ju të bekuar nga Ati im, sepse kur pata uri më dhatë të ha. Isha i zveshur e më veshët, isha i pa shtëpi e më përbujtët në shtëpinë tuja. Isha i sëmurë e në burg dhe erdhët të më vizitoni. Ejani e merrni në dorëzim Mbretërinë që është përgatitur për ju’.
Ku e ka fillimin dashuria? Në familje. Si fillon? Duke iu lutur së bashku Zotit. Familja që lutet së bashku, mbetet e bashkuar. E nëse ju do të mbeteni të bashkuar do ta doni e respektoni njëri-tjetrin, ashtu si Jezusi ju do. Çojeni pra lutjen, gëzimin, dashurinë e paqen në familjet tuaja e kështu do të rriteni në shenjtëri. Shenjtëria nuk është luks për pak vetë, është një bukuri e thjeshtë, sepse Jezusi ka thënë: “Jini të shenjtë, ashtu si Ati im që është në qiell”. Zoti ju bekoftë të gjithëve”.

E duke shfletuar kujtesën tonë historike i dëgjojmë përsëri zërat e shqiptarëve të cilët, nga Sheshi i Shën Pjetrit në Vatikan, shprehen emocionin e thellë të atij çasti kur, si rrallëherë, mbarë bota përsëriste me nderim të thellë emrin e kombit shqiptar, që kishte nxjerrë nga gjiri i vet atë që Papa Gjon Pali II e përshkoi gjatë kremtimit të lumturimit të 19 tetorit të vitit 2003 si figurë simbolike të misionit të Kishës, duke shtrënguar, me njërën dorë, atë të një fëmije e, me tjetrën, Rruzaren Shenjte. Po ti dëgjojmë dëshmitë e disa prej mijëra e mijëra shqiptarësh të të gjitha viseve të pranishëm në atë ngjarje të paharrueshme historike:...................RealAudioMP3

Kundrim e veprim, ungjillëzim e përparim njerëzor: Nënë Tereza e kumtoi Ungjillin me jetën e saj të cilën ua dhuroi plotësisht të varfërve, e njëkohësisht, lutjes- pati thënë Gjon Pali II.
Në përfundim të këtij përkujtimi, ti bëjmë tonat fjalët e Papës Vojtila për të Lumen Nënë Terezë, shqiptuar në homelinë e Meshës së Lumturimit të saj në Vatikan me 19 tetor 2003:
“Ta lavdërojmë këtë grua të vogël, të dashuruar me Zotin, këtë lajmëtare të përvuajtur të Ungjillit e bamirëse të palodhur të njerëzimit. Në të nderojmë një nga personalitetet më të rëndësishme të epokës sonë. Ta pranojmë mesazhin ta ndjekim shembullin e saj”. Kujtojmë se në Shqipëri viti 2003 u shpall nga qeveria shqiptare si viti i Nënë Terezës, viti kur të gjithë do të mendojnë rreth faljes, ngushëllimit e mirëkuptimit, kur të gjithë do të përcjellin mesazhin e Nënë Terezës, të mendojnë të bëjnë më shumë për ata që kanë më shumë nevojë për ta.
E ne sot le të vazhdojmë ta ndjekim shembullin e saj e të jemi mjete të dashurisë hyjnore.







All the contents on this site are copyrighted ©.