110-vjetori i lindjes së martirit të kohës së komunizmit Atë Gjon Faustit S.J.
(19.10.2009 RV) Emrin e Atë Faustit tani mund ta lexojmë në kalendarin e Kishës
universale. Njihet si martir i Kishës katolike gjatë persekutimit fetar në Shqipërinë
komuniste; konsiderohet si pararendës i dialogut islamiko –kristian e si dëshmitar
i dashurisë së krishterë e i fesë në kohët tona. Janë vetëm disa nga titujt që
i njihen nga bibliografia tejet e pasur, e cila flet për jetën dhe veprimtarinë misionare
të jezuitit martir, lindur në Broco, pranë Breshias (Itali) më 19 tetor 1899 e pushkatuar
më 4 mars 1946 në Shkodër (Shqipëri) te Zalli i Kirit, pas mureve të varrezës së Rrëmajit,
ku jehoi e jehon ende brohoritja e tij dhe e martirëve të tjerë shqiptarë, që i ranë
përkrah: “Rrnoftë Krishti Mbret! Rrnoftë Shqipëria”. Me sjelljen e me guximin e
tij, Atë Fausti u dëshmoi si të krishterëve, ashtu edhe myslimanëve të Shqipërisë,
se ata që besojnë në Zotin e në jetën e pasosur, nuk janë skllevër të kënaqësive të
kësaj bote, skllevër të etjes për pushtet, për sukses, për pasuri, por janë në gjendje
ta përballojnë me qetësi e guxim vdekjen për t’i qëndruar besnikë një ideali të vetëm,
të pavdekshëm, atij të Ungjillit.