2009-10-17 12:43:31

Nisën në Vatikan kurset mbi “Doktrinën Shoqërore të Kishës” të Fondacionit Centesimus Annus.


(17.10.2009 RV)RealAudioMP3 Nisën sot në Vatikan kurset mbi “Doktrinën Shoqërore të Kishës” organizuar nga Fondacioni “Centesimus Annus – Pro Pontefice”, në bashkëpunim me Universitetin Papnor Lateranens. Për më hollësisht, biseduam me sekretarin e përgjithshëm të Fondacionit Masimo Gatamelata. Të dëgjojmë bisedën që zhvilluam me të:

Përgjigje: Ne jemi krijuar në vitin 1993 nga Shenjtëria e tij Papa Gjon Pali II dhe këtë vit gjatë audiencës të fundit, në përfundim të konferencës sonë më 11 qershor, Ati i Shenjtë Racinger në prani të grupit tonë themeltar, lajmëroi zyrtarisht daljen e shpejtë të Enciklikës më të re “Caritas in Veritate”. Na besoi këtë detyrë: zgjerimin e kufijve të veprimit tonë.

Pyetje: Ndër veprimtaritë e Fondacionit keni edhe kurse për laikët, e këtë vit, madje edhe për meshtarët. Ç’lloj kursesh janë këto?

Përgjigje: Janë kurse dyvjeçare: shtatë fundjave në dimër, një herë në muaj. Janë këto muaj për të cilët kemi pasur edhe interesin më të madh nga ana e frekuentuesve, të cilët, në fund – në bazë të një provimi të vogël – marrin diplomën në “Doktrinë Shoqërore të Kishës”.

Pyetje: Cilat janë disiplinat që studjohen?

Përgjigje: Përpara së gjithash ekonomia, financa, e drejta shoqërore dhe kushtetuese dhe mbi të gjitha i kushtojmë shumë vëmendje etikës, në çdo fushë të veprimtarisë. Është ky një kurs që vë në dukje pikësëpari dashurinë që secili nga ne duhet të ushqejë për të afërmin dhe që duhet zbatuar pastaj edhe në veprimtarinë e përditshme.

Pyetje: Gjatë paraqitjes së kursit ju nënvizuat, duke cituar Papën se “Për të shmangur kriza të thella ekonomike dhe financiare, si kjo që po kalojmë, është me vend që disa parime etike të kthehen në plan të parë dhe të respektohen”....

Përgjigje: Pikërisht. Përvoja më e fundit na mëson se dëshira dhe etja për pushtet ekonomik i ka vënë përposhtë të gjitha vlerat e tjera. Ju i dini mirë problemet financiare që filluan në SHBA, por shkaktuan krizë në të gjithë botën. Dua të them se në konferencën tonë, që e organizojmë që nga viti 2000, patëm deklaruar publikisht rrezikun e këtyre mjeteve financiare që asokohe sa kishin nisur të dilnin. Janë, pra, që të gjitha këto, mjete që e kanë hedhur pas shpine etikën e sjelljes.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.