2009-10-17 11:25:39

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 29-të gjatë vitit “B”


(17.10.2009 RV)RealAudioMP3 Dëgjues të nderuar ja përsëri së bashku në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës. Kësaj here do të dëgjojmë dhe meditojmë së bashku leximet biblike të dielës së 29-të gjatë vitit kishtar, ciklit të dytë, sipas kalendarit liturgjik.
Në këtë të diele në të cilën kremtohet Dita botërore misionare, Fjala e Zotit na ofron portretin Jezusit Zot si Shërbëtorin e Hyjit e të njerëzimit. Kush don të jetë i pari e të sundojë mbi të tjerët, le të bëhet shërbëtori i të gjithëve, na thotë Jezusi në pjesën e Ungjillit të kësaj së diele. Kështu, sipas mësimeve ungjillore, për ta gjetur Zotin në jetë, lypet t’i përveshim mëngët e të shërbejmë
Çdo të diele fjala e Jezusit na ndihmon të rishikojmë rrënjësisht mënyrën tonë të të menduarit e të të vepruarit. Edhe këtë të diele ungjilli i tij ndeshet me mendimin tonë e atë botës: më i madhi nuk është ai që urdhëron e sundon por kush është i mbrami e shërben, madje kush sundon e urdhëron duhet të veproi porsi ai që shërben. Edhe Mesha shenjte që kremtojmë është takim me Jezusin që përulet deri në vdekje për të na ofruar veten si dhuratë. Le të mësojmë prej fjalës së tij: “Kushdo prej jush që don të jetë më i madh, le të bëhet shërbëtori juaj, dhe ai që prej jush don të jetë i pari, le të bëhet shërbëtori i të gjithëve”.
Në leximin e parë libri i Isaisë e paraqet figurën e shërbëtorit të mistershëm të Hyjit (Jahvesë) në të cilin tradita e krishterë gjithmonë e ka parë një profeci të Jezusit. Në liturgjinë e kësaj së diele lexojmë një pjesë të poemës kushtuar shërbëtorit të Hyjit, që na paraqitet në gjestin e dhurimit të jetës së tij për shlyerjen e faljen e mëkateve. Profecia fle për një Shërbëtor të Hyjit që qe besnik deri në fund.
Në leximin e dytë, Letra e Hebrenjve na ofron një reflektim të madh mbi figurën e Jezusit shikuar si Kryepriftin e Madh që është afër popullit të vet. Këtë të diele do të dëgjojmë një pjesë, të shkurtër por të thellë e të pasur. Jezusi është Biri i Zotit por edhe vëllai jonë. Për këtë për secilin prej nesh mund të jetë urë që na vënë në komunikim e lidhje me Zotin.
Në pjesën e Ungjillit të kësaj së diele nga Shën Marku, e shohim Jezusin përsëri në dialog. Pas lajmërimit të tretë të mundimeve që e presin , apostujt Jakobi e Gjoni shprehin moskuptimin dhe frikën e tyre dhe i bëjnë Jezusit një kërkesë të habitshme; nga kjo kërkesë Jezusi merr shkas për të na ofruar një katekizëm mbi domethënien e shërbimit e të shërbëtorit që e ofron jetën personale për shlyerjen dhe faljen e mëkateve. Ungjilli i kësaj së diele paraqet para nesh dy shembuj në antitezë: ‘krerët e kombeve’ e ‘ të Birin e njeriut’. Janë dy shembuj që orientojnë zgjedhjet e përcaktimet në botë e në Kishë: logjika e botës që synon përfitimin e propozimi i Krishtit që mishërohet në shërbim. Përfitimi synon karrierën, shërbimi kërkimin e dhuratës, përfituesi shërbehet me të tjerët, shërbëtori e shpenzon jetën për të mirën e tjerëve.
Jezusi na paraqet Zotin si shërbëtorin tonë. Po nëse Zoti është shërbëtori i jonë, kush do të jetë pronari e sunduesi jonë? I krishteri nuk ka kurrfarë pronari as sunduesi, e megjithëkëtë ai është e duhet të jetë shërbëtori i të gjithëve. Ky është paradoksi i ungjillit e kjo do të thotë t’i përmbysësh e ndryshosh rrënjësisht logjikat e pushtetit në dritën e mësimeve të Krishtit. Pjesa e Ungjillit të kësaj së diele na sqaron e ndihmon ta kuptojmë çfarë do të thotë ta kesh Zotin si shërbëtorin tonë. Pronari e sunduesi krijojnë e shkaktojnë frikë, ndërsa shërbëtori jo. Krishti na liron nga frika e çdo sundimi. Pronari e sunduesi pretendojnë, ndërsa shërbëtori dhuron, fal. Krishti është Ai që dhuron përjetësi, amshim çdo gjëje të bukur e të mirë që bartim dhe kemi në zemër. Pronari e sunduesi ndëshkojnë, shërbëtori përkundrazi mbështet, ndihmon e përkujdeset.
Me pak fjalë, dëgjues të nderuar, një fjalë e ndritshme na ndihmon këtë javë, që është edhe zemra e liturgjisë, e kjo fjalë është “shërbëtor”e “shërbim”. Krishti para nesh paraqitet me këto fjalë: “kam ardhur për të shërbyer e jo për të qenë i shërbyer”. Të shkojmë e të mësojmë edhe ne nga kjo shkollë e Krishtit e do të zbulojmë e shijojmë bukurinë e madhështinë e jetës. E tani t’i dëgjojmë leximet biblike të dielës së 29-të gjatë vitit ‘B’.


T’i dëgjojmë leximet biblike dhe pastaj homelinë apo komentin e këtyre leximeve biblike ta dëgjojmë nga prifti shqiptar dom Arjan Shkurti...RealAudioMP3

Ja leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 29-të gjatë vitit, ‘B’.
 
Leximi i parë Is 53, 2.3.10-11
Sipas riteve hebraike të flisë së shpërblimit një viktimë flijohej për mëkatet e popullit. Jezu Krishti do ta zëvendësojë këtë fli duke flijuar vetveten njëherë e përgjithmonë. Ai që do të ofrojë jetën e tij, duhet të pranojë të kalojë nëpërmjet vuajtjes, duhet të jetojë misterin e vdekjes dhe të ringjalljes së Krishtit.

Lexim prej Librit të Isaisë profet

Shërbëtori i Tij u rrit porsi pinjolli, porsi rrënja nga toka e thatë. Ishte i përbuzur, më i mbrami ndër njerëz, njeri dhimbjesh, i regjur me vuajtje, si ai, para të cilit mbulohet fytyra, i përbuzur, këndej as s’e çmonin për send! Por Zotit i pëlqeu ta ndrydhë me vuajtje. Nëse e jep jetën e vet fli shpërblyese, do të shohë një trashëgimi jetëgjatë, me anë të Tij do të kryhet vullneti i Zotit. Për shkak të vuajtjes së shpirtit të tij do ta shohë dritë e do të ngihet me njohjen e saj. Shërbëtori im i drejtë do të shfajësojë shumë, mbi vete fajet e tyre do t’i marrë.
Fjala e Zotit.

Psalmi 33

 
Na e jep mëshirën tënde, o Zot, sepse në ty shpresojmë
----------
E drejtë është fjala e Zotit,
e të gjitha veprat e tija me besë.
E do drejtësinë e gjyqin,
plot është toka me mirësinë e Zotit.
----------
Qe, sytë e Zotit janë mbi ata që e druajnë,
mbi ata që shpresojnë në mirësinë e tij:
për t’i shpëtuar nga vdekja
e për t’i ushqyer në kohën e urisë.
----------
Shpirti ynë shpreson në Zotin,
ai është ndihma dhe mburoja jonë.
Mirësia jote qoftë mbi ne, o Zot,
sikurse ne shpresojmë në ty.
----------

Leximi i dytë nga Heb 4, 14-16

Zoti që na ka shpëtuar është një njeri që vuan, i poshtëruar, i vënë në provë ashtu si ne e më shumë se ne. Përballë vuajtjes së Krishtit, asnjë i varfër nuk turpërohet nga mjerimi i vet.
Jezusi na mëson se shpëtimi nuk qëndron në mirëqenien dhe në suksesin, por në të pranuarit e gjendjes sonë njerëzore për të bërë të shpërthejë një njerëzim i aftë për të dashur.

Lexim prej Letrës drejtuar Hebrenjve

Vëllezër, mbasi e kemi Kryepriftin e Madh, Jezusin, Birin e Hyjit, i cili i ka përshkuar qiejt, të jemi të palëkundshëm në dëshmimin e fesë! Sepse nuk kemi Kryeprift që nuk mund të ketë dhimbje për dobësitë tona, mbasi ai vetë i ka sprovuar të gjitha sikurse ne, me përjashtim vetëm të mëkatit. T’i afrohemi, prandaj, plot guxim fronit të hirit, që të fitojmë mëshirë dhe të gjejmë hir për të pasur ndihmë në kohë të duhur.
Fjala e Zotit.

Ungjilli Mk 10, 35-45

Apostujt kuptojnë fjalët e Jezusit mbi fatin e tij të vuajtjes vetëm pas vdekjes dhe ringjalljes së tij. Sipas Jezusit personat e realizuar në këtë botë nuk ndryshojnë historinë, ndërsa ata që ndryshojnë botën janë pikërisht njerëzit e persekutuar dhe të kërcënuar.
Fati i Krishtit është ai i shërbëtorit të vuajtur që ofron jetën e tij për të tjerët. Vetëm ai që i përngjan atij është i njohur si i madh në mbretërinë e Hyjit.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Markut

Në atë kohë, Jakobi e Gjoni, bijtë e Zebedeut, iu afruan Jezusit dhe i thanë: “Mësues, dëshirojmë të bësh për ne çka po të kërkojmë.” “Çka dëshironi – u tha Jezusi – të bëj për ju?”
Ata i thanë: “Bëj që në lavdinë tënde të rrimë njëri në të djathtën e tjetri në të majtën tënde.” Jezusi u përgjigji: “Nuk dini çka lypni. A jeni të zotët ta pini gotën që unë e pi? Ose të pagëzoheni me atë pagëzim me të cilin unë pagëzohem?”
“Jemi të zotët!” – i përgjigjën ata. Jezusi vijoi: “Vërtet do ta pini gotën që unë e pi dhe do të pagëzoheni me pagëzim me të cilin unë pagëzohem. Por të vë ndokënd të më rrijë në të djathtën ose në të majtën time – kjo nuk është në pushtetin tim ta jap – kjo gjë u përket atyre për të cilët është bërë gati.”
Kur e morën vesh dhjetë tjerët, u hidhëruan në Jakobin e në Gjonin. Prandaj Jezusi i thirri përreth dhe u tha: “Ju e dini se ata që mbahen për sundues të popujve, i sundojnë me ashpërsi dhe qeveritarët e tyre ushtrojnë mbi ta pushtetin e vet. Kështu veç, nuk duhet të jetë ndër ju. Përkundrazi, kushdo prej jush që do të jetë më i madh, le të bëhet shërbëtori juaj, dhe ai që prej jush do të jetë i pari, le të bëhet skllavi i të gjithëve, sepse Biri i njeriut nuk erdhi për të qenë shërbyer, por që ai të shërbejë e të japë jetën e vet si shpërblim për të gjithë.”
Fjala e Zotit.







All the contents on this site are copyrighted ©.