2009-10-17 12:43:18

Konferenca për fëmijët me SIDA: në plan të parë impenjimi i rregulltarëve për të ndihmuar fëmijët e sëmurë.


(17.10.2009 RV)RealAudioMP3 Përfundoi në Romë në Universitetin Papnor të Shën Kryqit, Konferenca triditore për fëmijët me SIDA dhe tuberkuloz. Në veçanti, u fol për parandalimin dhe transmetimin e Sidës nga nëna tek fëmija dhe për gjendjen e kushtet e fëmijëve të prekur nga kjo sëmundje dhe nga tuberkulozi në vendet në zhvillim. Konferenca është promovuar nga Karitasi Ndërkombëtar dhe Ambasada Amerikane pranë Selisë Shenjte.
Në takim morën pjesë shumë rregulltarë të impenjuar prej vitesh në luftën kundër Sidës. Një impenjim që nuk i kursen energjitë, thotë Atë Dejvid Glendei, sekretar i Bashkimit të Eprorëve të Përgjithshëm, i cili foli edhe në konferencë. Pikërisht për këtë arsye organi që përfaqëson rregulltarët dhe rregulltaret e të gjithë botës ka themeluar “Komisionin e Shëndetit”.
Në mikrofonin tonë flet Atë Paolo Guarize, i urdhërit kamilian, kryetar i këtij komisioni. Cili është objektivi më urgjent?

Përgjigje: Të sensibilizojmë veçanërisht ndërmarrjet farmaceutike dhe qeveritë
t’i ulin çmimet si ato të barnave, të analizave, në mënyrë që mjekimi të jetë më i lehtë për fëmijët e sëmurë.

Pyetje: A ka shpresa në këtë drejtim?

Përgjigje: Duhet të shtohen donacionet, mbi të gjitha duhet bërë mirë shpërndarja e këtyre fondeve, veçanërisht kur vijnë nga qeveritë. Por për fat të keq nuk është e thënë që t’i marrin personat e interesuar. Këto fonde humbasin rrugës. Kjo është diçka shumë e rëndësishme për t’u diskutuar.

Pyetje: Rregulltarët, rregulltaret janë personat që u gjenden pranë konkretisht të sëmurëve, si fëmijëve ashtu edhe nënave...

Përgjigje: Po, e nganjëherë rregulltarët dhe rregulltaret nuk kanë as kohë të merren këtë, sepse janë shumë të shqetësuar nga situata financiare. Me fjalë të tjera, nëse qeveritë apo ndërmarrjet farmaceutike do të jepnin më shumë të holla, atëherë ne rregulltarët dhe rregulltaret do të kishim më shumë kohë për t’iu përkushtuar problemeve të tjera, jo ekonomike, por gjithnjë të lidhura me sëmundjet e Sidës dhe të TBC, tuberkulozit. Por shpeshherë shqetësimi ynë më i madh është si të sigurojmë fonde.

Pyetje: Ju përmendet aspektin njerëzor, atë që nevojitet atje ku mjekësia nuk jep rezultate....

Përgjigje: Patjetër. Do të thosha se impenjimi ynë kryesisht është një impenjim baritor, shpirtëror dhe fetar. Por këtij pastaj i shtohet në planin praktik, edhe kura mjekësore. Ajo çka duam ne është një gjë e dyfishtë, shoqërimi i kurave me aspektin human.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.