2009-10-17 12:43:02

Kardinali Anxhelo Komastri boton një libër të ri. Titullohet “Do të quhesh Pjetër”.


(17.10.2009 RV)RealAudioMP3 Me rastin e Vitit Meshtarak, shpallur nga Benedikti XVI, kardinali Anxhelo Komastri, kryeprift i Bazilikës së Shën Pjetrit e mëkëmbës i Shenjtërisë së Tij për Qytetin e Vatikanit, paraqiti në Auditorin e Kuries së Etërve Agostinianë, librin e tij më të ri, titulluar ‘Do të quhesh Pjetër. Autobiografi e papës së parë”. Është autobiografi artistike e supozuar e Shën Pjetrit.
Ngjarjet e librit ndjekin gjurmët e Apostullit rrugëve të Palestinës, deri në Romë, ku e vulosi me gjak fenë e tij, duke hapur faqen e parë të historisë së ipeshkvijve të Qytetit të Amshuar
“Faqe tronditëse” – shkruan në hyrjen e librit sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone - të cilat e nxisin lexuesin t’i përgjigjet thirrjes së Jezusit, që sfidoi krenarinë e të gjitha kohëve, duke u impenjuar ta ndërtojë Kishën e tij mbi shpatullat e brishta të një njeriu, të cilin e bëri të fortë, si shkëmb”. Këtij peshkatari të përvujtë e dyshimtar, që më pas u bë peshkatar njerëzish, Jezusi i besoi detyrën të vinte gurin e parë të Kishës së Tij, atë të themelit. Po sa e vështirë është sot të bëhesh peshkatar njerëzish? Përgjigjen e jep libri i ri i kardinalit Komastri, që pret të shfletohet edhe nga lexuesi shqiptar….







All the contents on this site are copyrighted ©.