2009-10-16 18:26:55

Sot Kisha katolike përkujtoi Shën Edvigën, rregulltare, dukeshë e Slezisë dhe e Polonisë.


(16.10.2009 RV)U lind në vitin 1174 në Bavarinë e Epërme, në familjen e dukëve të Slezisë. Prindërit, Bertoldi e Anjeza, e çuan që në moshë të njomë në shkollën e motrave benediktine, pranë Vyrsburgut, duke e përgatitur, kështu, për një martesë të shkëlqyer. Ishte 16 vjeçe kur, në Vroklav të Polonisë, e lidhi jetën me djaloshin Enrik, trashëgimtar i dukatit të Slezisë së Ultë, që njihej me nofkën ‘Mjekroshi’. Nga kjo martesë lindën gjashtë fëmijë: Boleslau, Korradi, Enriku, Anjeza, Sofia e Gjertruda. Por kjo nuk e pengoi aspak të bashkëpunonte ngushtësisht me të shoqin në qeverisjen e vështirë të vendit, duke fituar menjëherë simpatinë e nënshtetasve polakë, gjuhën e të cilëve e bëri të vetën. E nuk e pengoi as ta jetojë me fund fenë e vet, të japë prova të thella devocioni, ta shprehë në njëmijë mënyra dashurinë për njerëzit më të papërfillur nga shoqëria e kohës e dëshirën për t’u vënë me gjithë vetveten në shërbim të të tjerëve. E tronditur thellë nga fatkeqësi të ndryshme familjare, të cilat i ranë mbi kokë njëra pas tjetrës, sidomos nga rivaliteti ndërmjet të bijve, që i vdiqën njëri pas tetri, e drejtoi familjen e shtetin me atë butësi e urti, që burojnë nga dëshira e thellë për paqe. Kur të shoqin ia mbyllën në burg si rob lufte, ajo nuk gjeti paqe, derisa e liroi. Pas vdekjes së tij, më 1238, gjatë një beteje kundër mongolëve pranë Liegnizit, vijoi të punonte me të gjitha forcat për të përmirësuar jetën e të varfërve, “Jo për të bërë një politikë të mirë – siç i thoshte së bijës, Gjertrudes – por sepse ata janë zotëritë tanë”. Mëkatit e egoizmit i kundërvuri përvujtërinë e asketizmin e jashtëzakonshëm. Princesha pendestare, nusja besnike, nëna e dhimbshme, sovrania e urtë e bamirëse, vdiq në vitin 1243 e menjëherë nisi të nderohet si shenjtore, si nga besimtarët gjermanë, ashtu edhe nga ata sllavë.
Pak para se të jepte shpirt, kërkoi ta varrosnin në varrezën e përbashkët të manastirit. Pa zbritur ende në varr, si polakët, ashtu edhe gjermanët, nisën ta nderonin si shenjte. Çështja e lumnimit të dukeshës Edviga nisi nën papën Urbani IV, ndërsa në aradhet e shenjtorëve u shkrua nga papa Klementi IV në vitin 1267, kur reliket e saj u mbartën në Kishën e manastirit. Në Martiriologun Romak për Shën Edvigën shkruhet: “Rregulltare me origjinë bavareze e dukeshë e Polonisë, ia kushtoi gjithë jetën të varfërve, duke themeluar për ta shumë strehë e, pas vdekjes së bashkëshortit, dukës Enrik, i kaloi vitet që i mbeteshin për të jetuar, duke punuar në manastirin e motrave çisterçense, themeluar prej saj, ku ishte abateshë e bija, Gjertruda. Vdiq në Trebnic të Polonisë, më 15 tetor 1243”.







All the contents on this site are copyrighted ©.