Paqja, Evropa, ambienti dhe mbrojtja e jetës – temat e audiencave të Papës me kryeministren
e Ukrainës, Timoshenko dhe me Princin Albert të Monakos.
(16.10.2009 RV)Benedikti XVI priti
sot paradite në audiencë princin e Monakos, Alberti II dhe kryeministren e Ukrainës,
Julia Timoshenko. Gjatë bisedimeve të përzemërta me kryeministren e Ukrainës
– njofton një notë e Sallës vatikanase të Shtypit - u prekën temat e promovimit të
paqes dhe të bashkëpunimit ndërkombëtar. Papa e kryeministrja u ndaluan edhe tek ndihmesa
e shquar, që i jep Kisha katolike e të dy riteve, shoqërisë ukrainase, posaçërisht
në fushën edukative dhe në përhapjen e vlerave njerëzore e kristiane. U fol edhe për
çështje me interes të përbashkët lidhur me marrëdhëniet ndërmjet autoriteteve civile
e atyre fetare, duke uruar që zhvillimet pozitive të kohëve të fundit të ndihmojnë
për zgjidhjen e çështjeve akoma në shqyrtim.
Në audiencën me princin e
Monakos - gjithnjë sipas njoftimit të Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë –
u fol për çështje të aktualitetit ndërkombëtar, si zhvillimi i gjithanshëm i popujve,
mbrojtja e pasurive natyrore e të mjedisit. Ndërmjet temave me interes të përbashkët,
u vu theksi mbi rëndësinë e formimit të shëndoshë kulturor e moral të breznive të
reja dhe mbi mbrojtjen e jetës në të gjitha fazat.Pas bisedimeve me Papën, kryeministrja
Timoshenko e princi Albert u takuan me sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin
Bertone dhe me imzot Dominik Mambertì, sekretar i Vatikanit për marrëdhëniet me shtetet.