2009-10-16 17:11:09

Papa Fao-s: për ta mundur urinë në botë, të ndryshohet stili i jetesës e të lihen mënjanë privilegjet e përfitimet.


(16.10.2009 RV)RealAudioMP3 “Sigurimi i ushqimit është e drejtë themelore e njerëzvre dhe e popujve”. Duhet të ndërrohet stili i jetesës, të lihen mënjanë privilegjet e përfitimet, të promovohet zhvillimi bujqësor në vendet më të varfëra, për t’i dhënë fund shuplakës së urisë, nga e cila vuajnë më se një miliard njerëz në botë: këtë pohon Papa në mesazhin për Ditën e sotme Botërore të Ushqimit, dërguar drejtorit të përgjithshëm të FAO-s, Zhak Diëf.
Është fjala – nënvizon Benedikti XVI – për një manifestim konkret në mbrojtje të së drejtës për të jetuar që, ndonëse është shpallur solemnisht, mbetet shumë larg vënies konkrete në jetë. Kriza aktuale – shkruan Papa – kërkon nga qeveritë dhe drejtuesit e bashkësisë ndërkombëtare të zgjedhin vendosmërisht rrugët më të suksesshme, në përpjekjen për t’u siguruar ushqimin e nevojshëm e të shëndetshëm gjithë njerëzve e mbarë popujve, duke arritur, kështu, më në fund, ta zhdukin shuplakën e urisë.
Dita e sotme, përqendruar tek tema “Të arrihet sigurimi ushqimor në kohë krize”, i fton të gjithë ta shikojnë punën bujqësore si element themelor për sigurimin e ushqimit. Për këtë arsye – nënvizon Ati i Shenjtë – bujqësia duhet të ketë nivel të mjaftueshëm investimesh e burimesh. Pasuritë e gjithësisë, për vetë natyrën e tyre, janë të kufizuara e, prandaj, kërkojnë sjellje plot përgjegjësi, solidaritet të thellë e vëllazërim largpamës.
Papa nënvizon se arritja e këtyre objektivave kërkon të modifikohen stili i jetesës e mënyra e të menduarit dhe e detyron bashkësinë ndërkombëtare të ndërhyjë në mënyrë më të përshtatshme e më vendimtare.
Ati i Shenjtë uron të thellohet bashkëpunimi, që mbron metodat e kultivimit të zonave të ndryshme dhe shmang rrezikun e përdorimit mendjelehtë të pasurive natyrore.
E vijon të urojë edhe që, në sajë të një bashkëpunimi të tillë, të mbrohen vlerat e jetës fshatare dhe të drejtat themelore të punonjësve të tokës.
Duke hapur kremtimet për Ditën Botërore të Ushqimit, drejtori i përgjithshëm i Fao-s, Zhak Diëf, pranoi se objektivi i caktuar nga Samiti i mëparshëm Botëror për ushqimin, që të përgjysmohej numri i njerëzve të uritur, ‘nuk u arrit’. Në vitin 2009 ky numër është rritur me 9%, duke shënuar kështu një dështim tejet të padëshiruar të betejës kundër urisë në botë. Bëhet fjalë për betejën, jo për vetë luftën, e cila vijon e mund të fitohet. Rrugët na i tregoi Papa në Mesazhin e kësaj Dite!







All the contents on this site are copyrighted ©.