2009-10-16 17:11:33

Afrika e skllavëruar nga pushteti i parasë. Etërit sinodalë bëjnë thirrje për të falur borxhin e jashtëm.


(16.10.2009 RV)RealAudioMP3 Sinodi i Ipeshkvijve për Afrikën, i cili vazhdon në Vatikan mbi temat e pajtimit, drejtësisë dhe paqes, punoi sot për propozimet përfundimtare. Bocat e ndryshme do t’i dorëzohen Sekretarisë së Përgjithshme të Sinodit, e cila do t’i bashkojë dhe do t’i paraqesë. Më pas, dokumenti përfundimtar do të votohet nga Asambleja. Ndërmjet propozimeve, spikat ai i faljes së borxhit të jashtëm të Afrikës. “Nuk është më një vepër mëshire, por drejtësi”, tha në sallë kryeipeshkvi i nderit i Abigjanit në Bregun e Fildishtë, kardinali Bernard Agré. Por ta dëgjojmë vetë kardinalin në mikrofonin tonë:
Janë borxhe të mëdha, që popujt nuk do të jenë në gjendje t’i paguajnë kurrë. Na thonë: “Nuk keni paratë për të paguar? Atëherë, jepni gjithë naftën që keni, pasuritë natyrore…” Është një kontratë e padrejtë! Mund të themi se këto vende janë kthyer në pengje të parasë. Është një lloj skllavërie moderne. Sipas vlerësimeve të ekonomistëve, për çdo dollar që ka marrë, Afrika duhet të japë tetë!
Na jepni një shembull. Si është gjendja në Bregun e Fildishtë?
Borxhi i Bregut të Fildishtë është tepër i lartë. Për këtë borxh, çdo vit duhet të paguajmë, të paguajmë e të paguajmë. Shlyerja e borxhit zë të paktën 40% të buxhetit. Natyrisht që nuk ka më fonde për arsimin, shëndetësinë e zhvillimin…Nuk është e qartë se kujt i shkojnë këto para. Por kështu, e vrasin vendin me borxhe! Duhet të ndalet e gjithë kjo: është tepër!
Me rastin e Sinodit për Afrikën, qyteti i Romës i kushton një ditë kontinentit të zi. Të hënën, më 19 tetor, në Bashkinë e kryeqytetit italian do të zhvillohet një konferencë ndërkombëtare kushtuar bashkëpunimit me Afrikën, ndërsa në orën 21.00, në Auditoriumin fare pranë Radios sonë, do të mbahet një mbrëmje tematike për njohjen e muzikës dhe të kulturës afrikane. Kjo ditë është organizuar nga Bashkia e Romës, në bashkëpunim me Sekretarinë e Përgjithshme të Sinodit, me Radio Vatikanin, Bashkësinë e Shën Egjidit dhe me organizatën Hope, nisma e shërbimit kombëtar për Baritorinë Rinore.








All the contents on this site are copyrighted ©.