2009-10-15 16:03:26

Sinodi për Afrikën: kontinenti të bëhet protagonist i fatit të vet


(15.10.2009 RV)RealAudioMP3 Afrikanët duhet të bëhen protagonistë të fatit të tyre: ky është urimi i sotëm i ipeshkvijve gjatë Sinodit II për Afrikën, që vazhdon në Vatikan mbi temat e pajtimit, drejtësisë e paqes. Sesioni i sotëm, i pesëmbëdhjeti, u karakterizua nga paraqitja e relacioneve të grupeve të vogla. Në praninë e Papës Benedikti XVI, etërit sinodalë filluan të përvijojnë tematikat e mundshme për t’u paraqitur në dokumentat përfundimtare të Asamblesë.
Sipas raportit të grupeve të vogla, puna e bërë deri tani është pozitive, por disa aspekte duhen nënvizuar më tepër. Të tilla janë nevoja për mbrojtjen e ambientit, dallimi më i mirë i thirrjeve të vërteta, vendosja e traditave afrikane në bazë të procesit të pajtimit. Pikërisht në këto tradita janë të pranishme shumë elemente pozitive, që mund të pajtohen me krishterimin, si riti i pranimit të fajit, ose premtimi për të mos rënë sërish në gabim.
Etërit Sinodalë sugjerojnë të përhapen më shumë tekstet, që informojnë mbi Doktrinën e Kishës në fushën e seksualitetit, kërkojnë kujdes më të madh baritor për punëtorët, për familjen dhe për gratë, duke përfshirë edhe rregulltaret. Gjithashtu, duhet vëmendje për fenomenin e magjisë, e cila dëmton rëndë shoqërinë afrikane, dhe për marrëdhëniet me Islamin, që duhen parë sipas rasteve, pasi myslimanët në Afrikë ndryshojnë nga një vend në tjetrin.
Më shumë hapësirë i duhet dhënë edhe problemit të emigracionit, parë në kuadrin e politikave ndërkombëtare dhe të rolit qendror të Kishës në mbrojtje të të drejtave të njeriut e të dinjitetit të tij. Përsëritet nevoja për të forcuar lidhjet ndërmjet Kishave lokale dhe asaj universale e për të arritur unitetin e plotë në ato organizma, që përmbledhin Konferenca të ndryshme Ipeshkvnore.
Më tej, etërit sinodalë kujtojnë rëndësinë e mas mediave për komunikimin kishtar e edhe për formimin e popullsisë: radioja e televizioni për shembull, mund të kontribuojnë për të përçuar vlerat e jetës familjare. Përsa u përket vendeve në krizë politike, në Sinod u tha që procesi i pajtimit duhet çpolitizuar e Kisha nuk duhet të jetë kurrë peng e konflikteve institucionale. Ajo duhet t’i shoqërojë krerët e vendit në ushtrimin e pushtetit, larg prej korrupsionit.
Përveç kësaj, grupet e vogla të Sinodit kërkojnë edhe masa të vendosura kundër trafikut të armëve e të drogës e kundër pandemisë së Sidës, sidomos përmes ndryshimit të mënyrës së jetesës.
Theksohet më pas rëndësia e përkrahjes së shkollave dhe universiteteve katolike, e rregullave të forta për personat e shuguruar, për të cilët duhet menduar një formim i vazhdueshëm, e përfshirjes së laikëve në punën e ungjillëzimit.
Së fundi, etërit sinodalë sugjerojnë thirrjen e një Kongresi eukaristik kontinental, një takim panafrikan mbi gratë dhe ngritjen e një forumi për lutjen ndërfetare, pasi në një vend ku ka konflikte e dhunë, lutja e përbashkët është hapi i parë drejt paqes.








All the contents on this site are copyrighted ©.