2009-10-15 18:06:03

Organizata “Mjekët me Afrikën Kuam” ndihmon shëndetësinë në kontinentin më të varfër të botës.


(15.10.2009 RV)RealAudioMP3 Konsolidimi i sistemit shëndetësor në Afrikë, garantimi i shërbimit shëndetësor dhe i kurave mjekësore, investimi në planet e rindërtimit dhe të zhvillimit. Këto janë disa nga objektivat që ka organizata “Mjekët me Afrikën Kuam”. Ndër to bën pjesë edhe Voliso, një projekt që u realizua në Etiopi falë fondeve të Kishës Katolike në bashkëpunim me sekretariatin shoqëror të radiotelevizionit italian RAI.
Organizata “Mjekët me Afrikën Kuam” ka zgjedhur pikërisht kontinentin më të varfër dhe zonat e tij më në rrezik, si për shembull Etiopia, për t’i garantuar popullsisë shërbime mjekësore, për të ndërtuar spitale dhe qendra të specializuara. Ka ende shumë për të bërë por shifrat për vitin 2008, ngjallin besim.
Në mikrofonin tonë flet Dom Dante Karraro, drejtor i kësaj organizate:

“Në 2008, u bënë 26 mijë vaksinime; u vizituan 20 mijë nëna përpara lindjes; pati 2600 lindje në spitale; u kryen 56 mijë vizita mjekësore. Këto janë shifra, por shprehin jetë njerëzish, ka shpresë, ka pritje të ankthshme. Unë mendoj se kjo është një shenjë se duke punuar mirë, me pasion, mund të dëshojmë Ungjillin e dashurisë.”


Themelor këtu është roli i Kishës Katolike e cila vepron duke dhënë fonde, por jo vetëm kaq. Të dëgjojmë Imzot Xhovani Batista Gandolfo, kryetar i komitetit të Konferecës ipeshkvnore italiane për ndihmat e bamirësisë për vendet e botës së tretë:

“Sipas parimeve tona dashuria e vërtetë nuk është vetëm në shpërndarjen e ndihmave por qëndron tek aftësimi i njerëzve në sektorin financiar. Njëri nga objektivat kryesor është patjetër ky i formimit të njerëzve në mënyrë që ai që merr ndihma financiare të mos i mbajë për vete por t’ua përcjellë edhe të tjerëve.”

Në Afrikë pra, është në rend të ditës nisja e proceseve të pandërprera të zhvillimit, duke e përforcuar bashkëpunimin ndërmjet faktorëve të ndryshëm shoqëror. Të dëgjojmë Imzot Emilio Sumbelelo, ipeshkëv i Uiges, në Ugandë:

“Ka përpjekje nga ana e qeverisë. Ka mbi të gjitha përpjekje nga ana e Kishës nëpërmjet veprimtarëve të saj. Po bëhen përpjekje për përmirësime, por jemi ende larg nga parametrat e dëshiruara.”

Është e mundur pra, të realizohet një Afrikë tjetër duke promovuar individin sikurse bën thirrje edhe Sinodi për Afrikën që po zhvillohet në Romë, një Afrikë me shenja të dukshme të Ungjillit të dashurisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.