Kardinali Turkson: Etërit Sinodalë dëgjojnë britmën e grave afrikane!
(14.10.2009 RV)Në Vatikan vijojnë
punimet e Sinodit II të Ipeshkvijve për Afrikën, me temën e pajtimit, të drejtësisë
e të paqes. Sipas programit, sot u diskutua, me porta të mbyllura, kryesisht për “Raportin
pas diskutimit”. Dokumenti u paraqit dje pasdite nga kardinali Peter Turkson, referues
i përgjithshëm i Sinodit. Në këtë tekst, Hirësia e Tij përmblodhi temat kryesore,
që janë prekur deri tani në Sallë dhe diktoi vijat drejtuese, mbi të cilat duhet të
vijojnë punën prelatët, duke pasur parasysh kryesisht, dokumentet përfundimtare të
Asamblesë Sinodale. Është një Kishë afrikane kryelartë për zanafillën e vet apostolike
e krenare për ata që i prinë në fe kjo, për të cilën foli kardinali Turkson. Në vijim
Hirësia e Tij nëvizoi se për ta kryer me sukses detyrën e saj për pajtimin, Kisha
afrikane duhet ta rimendojë mënyrën e organizimit e të veprimit, duke u bazuar në
drejtësinë e në besnikërinë ndaj misionit të saj. Kisha-familje e Zotit në Afrikë
– vijoi Kardinali – duhet të shndërrohet nga brenda, për ta shndërruar kontinentin. Apostullimi
i saj, atëherë, duhet të ketë shumë aspekte, por referuesi i përgjithshëm vuri theksin
vetëm mbi disa prej tyre: të çlirohet populli afrikan nga çdo frikë, duke përfshirë
këtu edhe frikën nga magjia e okultizmi; të punohet për formimin në çdo fushë të jetës,
nga katekizmi tek mjetet e komunikimit, nga politika tek kultura; të sfidohen e kaluara
kolonialiste dhe shfrytëzimi, të përballohen kërcënimet e globalizmit. “The
issue of migration came up for special mention…” Më pas kardinali Turkson
kërkoi t’i kushtohet vëmendje e veçantë çështjes së emigracionit, parë edhe në lidhje
me ligjet e vendeve perëndimore dhe ftoi të vlerësohet tema e ‘përkatësisë etnike’,
për t’i prerë rrugën qëndrimeve raciste. E nuk harroi edhe hijet, që dynden mbi
shoqërinë afrikane, kryesisht në fushën e familjes, e cila kërcënohet nga ideologjia
e ‘gjinisë’, nga etika e re seksuale globale, nga inxhinieria gjenetike e nga stilet
e reja të jetesës, që nuk e përfillin martesën e burrit me gruan: “The Church
may see the present and persistent shadows in Africa…” Por këto hije –
vijoi kardinali Turkson – Kisha mund t’i shikojë si sfidë e mundësi për rritjen e
saj të mëtejshme. Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe grave, akoma të papërfillura
nga kultura afrikane: etërit sinodalë e dëgjuan britmën e tyre – theksoi kardinali
Turkson. Kisha-familje e Zotit, duhet t’u kundërvihet padrejtësive që u bëhen, siç
janë bashkëjetesa me shumë gra, dhuna shtëpijake, diskriminimi në të drejtën e trashëgimisë
e martesat e detyruara. Ata kanë nevojë të njihen si anëtare aktive në Kishë e në
shoqëri!Kardinali Turkson preku edhe plagë të tjera, që trondisin Afrikën dhe pengojnë
rrugën e zhvillimit të saj, si korrupsioni, mosrespektimi i demokracisë, organizmi
i grushteve të shtetit dhe, në vijim, theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes së episkopateve
afrikane në organizatat kontinentale, si Bashkimi Afrikan, gjithnjë në harmoni me
veprimtarinë e Selisë së Shenjtë, për të nxitur e për të garantuar nismat e pajtimit,
të drejtësisë e të paqes. Nuk harroi të vinte theksin edhe mbi pandeminë e Sidës,
të kërkonte mbylljen e fabrikave të armëve, shmangien e luftës për ujin, përfundimin
e grabitjeve të burimeve natyrore të Kontinentit, që nxisin ndeshjet ndërmjet fiseve
dhe formimin e myslimanëve vullnetmirë, për kufizimin e tensioneve. Në përfundim
kardinali Turkson bëri një përmbledhje prej dymbëdhjetë pyetjesh. U takon Grupeve
të vogla, tani, të gjejnë përgjigjet e nevojshme, nga të cilat do të arrihet, pastaj,
në Propozimet përfundimtare.